Duke nisur nga sot, Bulevardi i Ri nga ish-Stacioni i Trenit deri te kryqëzimi me rrugët “Siri Kodra” dhe “Jordan Misja” është funksional për automjetet. Bashkia e Tiranës ka përfunduar segmentin e dytë prej 500 metrash të Bulevardit të Ri, si dhe sheshin e tretë në fund të tij, duke ofruar një standard të lartë të punimeve dhe një mjedis çlodhës për banorët e zonës.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi cilësinë e punimeve, si dhe faktin që tashmë zgjidhet një nyje që shkaktonte trafik.
“Jam shumë i lumtur që kemi hapur sot sheshin e tretë të bulevardit dhe ende pa përfunduar pjesa finale e tij, është funksional për automjetet. Ata që banojnë në njësitë 8 dhe 9, të lidhur përmes rrugëve “Siri Kodra” dhe “Jordan Misja”, kanë një mundësi të shkëlqyer të shkurtojnë kohën e tyre në trafik, duke kaluar nga njëra njësi tek tjetra, duke e parë bulevardin si urë dhe jo si ndarje. Jam shumë i lumtur që zgjidhet një nyje e trafikut që i afrohet asaj që në të ardhmen do jetë Unaza e katërt e Tiranës”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi se ashtu si në këtë bulevard, puna nuk do të ndalet në asnjë projekt tjetër të Bashkisë së Tiranës.
“Për pak ditë përgatitemi të festojmë 99-vjetorin e Tiranës kryeqytet. Kemi 99 vjet që vazhdojmë të mbarojmë projektin që nisën italianët, kur vjen puna tek bulevardi dhe aksi origjinal i tij, i konceptuar nga italianët, i cili mbeti pa u mbaruar edhe nga komunistët, edhe nga kjo përpëlitja jonë 30-vjeçare. Ndaj, për të gjithë ata që duan ta shohin Tiranën Zonjë, do të duhet që të mbështetin Tiranën e punës, Tiranën e pastër, Tiranën e drejtë, Tiranën që nuk bllokohet nga një minorancë e zhurmshme, por që fuqizohet nga një shumicë e heshtur”, theksoi Veliaj.
Ai vuri në dukje se projekti i Bulevardit të Ri po vijon edhe për pjesën tjetër, ndërsa bëri të ditur se ai do të mbyllet me një shesh ceremonial, i ngjashëm me sheshin “Nënë Tereza”. Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që ta mirëmbajnë këtë investim dhe të mos e vandalizojnë.





