Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura ka përfunduar hetimin administrativ për vjedhjen e armatimeve në depon e bazës së Pashalimanit, ndërsa ka dalë në përfundimin se përgjegjës për ngjarjen është i gjithë zinxhiri komandues i Forcës Detare duke filluar nga komandati i Forcës Detare Ylber Dogjani.
Hetimi i drejtuar nga Shtabi i Përgjithshëm i FA-së ngarkon me përgjegjësi të gjithë linjën e drejtim komandimit në Forcën Detare dhe Bazën e Pashalimanit.
Në bazë të hetimit, përgjegjësia për masat e sigurisë në bazën detare, i ngarkohet komandantit të Forcës Detare Ylber Dogjani, komandantit të bazës dhe të gjithë linjës së komandimit.
Ministrja e Mbrojtjes me propozim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm shkarkoi nga detyra 15 ushtarakë përgjegjës në drejtim-komandimin dhe cështjet e sigurisë e ruajtjes në Forcën Detare dhe Bazën e Pashalimanit. Ministrja e Mbrojtjes nisur nga rezultatet e hetimit administrativ i ka propozuar gjithashtu Presidentit të Republikës, shkarkimin e komandantit të Forcës Detare, Gjeneralmajor, Ylber Dogjani.





