Pas 12 vitesh me fanellën e Napolit, Marek Hamsik duket se tashmë do t’i japë lamtumirën skuadrës së kaltër, për të nisur një aventurë të re, që mund të jetë edhe e fundit për të, në kampionatin kinez. Drejtuesit e Napolit po negociojnë shitjen e tij te skuadra e Dalian Yifang dhe palët janë shumë pranë, ashtu siç e pranoi edhe vetë trajneri napolitan, Carlo Ancelotti, në përfundim të sfidës me Sampdorian.

Klubi kinez ka bërë një ofertë prej 15 milionë eurosh për mesfushorin sllovak, ndërsa këtij të fundit i ka ofruar një kontratë 3-vjeçare, me një pagë prej rreth 9 milionë eurosh në sezon.

Në sfidën e djeshme ndaj Sampdorias, kapiteni Hamsik luajti për 74 minuta, për t’u zëvendësuar më pas nga mesfushori tjetër Diawara, ndërsa publiku napolitan duartrokiti gjatë dhe ndoshta për herë të fundit “beniaminin” e dekadës së fundit.

Në 12 vite me skuadrën e Napolit, Hamsik ka luajtur plot 519 takime dhe ka arritur të dërgojë topin në rrjetë për 121 herë, duke u bërë edhe pjesë e historisë së ekipit napolitan.