Ashtu si në fazën e parë në “Selman Stërmasi”, Tirana dhe Teuta ndanë nga një pikë në një barazim 1-1. Progni ishte autori i golit për skuadrën bregdetare, por Ngo iu përgjigj pa u mbyllur pjesa e parë, për të gëzuar tifozët vendas. Një takim mjaft i kujdesshëm dhe me ritëm të ulët, skuadrat u kënaqën me pak.

Vijon ecuria pozitive e skuadrës bardheblu, që ndaj një kundërshtari mjaft të fortë nuk del duarbosh, megjithatë starti ishte një malore për bardheblutë, të cilët pa u mbushur 2 minuta lojë e panë veten në disavantazh. E nis më së miri aventura e Erlis Frashrit te durrsakët, pasi pikërisht anësori harkoi saktë, duke i dhënë mundësinë Prognit për të gjetur rrugën e rrjetës. Natyrshëm që me qetësinë e rezultatit, mysafirët ishin më të qetë dhe prisnin mundësinë për të rrezikuar.

Gjithsesi, bardheblutë do të shpërbleheshin për iniciativën e tyre, teksa Ngo kombinoi bukur me Halilin brenda zone, por në fund anglezi shënoi nga fare pranë portës. Festë e çmendur e vendasve, madje tifozët “shpërthejnë” dhe hekurat rrethues.

Pjesa e dytë kishte një tjetër muzikë, ishte më e vakët dhe shumë pak raste u krijuan në të dyja portat. Edhe pse në minuta e fundit skuadrat kishin më shumë vështirë për të marrë maksimumin e pikëve, frika për të mos humbur i bëri disi të ngurta, duke mos i vënë në provë serioze Hidin dhe Abibin.

Tirana shkon në kuotën e 21 pikëve dhe pret e qetë rivalët për mbijetesë, ndërsa në anën tjetër Teuta regjistron barazimin e dytë radhazi, megjithatë duhet të përmendet se ka një ecuri të pabesueshme me 13 ndeshje pa humbje në kampionat.