Nga BUJAR QESJA
- Allen më shtatgjati në basketbollin shqiptar
- Goga Basket bëhet me tre basketbollistë amerikanë dhe 2 malazezë
- Kontratë 6 mujore me specialistin e mirnjohur Spiro Leka
- Bashkëpunim me italianët e akademisë Armani Jeans Milano
- Synohet të fitohet Kupa e Shqipërisë me 1-2 shkurt 2019
Nuk mbarojnë surprizat e pafund të Akademisë së mirnjohur sportive Goga Basket. Risi në basketbollin shqiptar kjo Gogë dhe mund të trajtohet edhe si një ere e re, apo dallëndyshe e këtij basketbolli. Igli Goga, i cili nuk ka dëshirë të trajtohet si një shpresë e jashtëzakonshme i basketbollit durrsak, pse jo edhe atij shqiptar, duke ngacmuar kushtrimin e të parëve në tifozërinë aq unikale durrsake të basketbollit. Noti dhe basketbolli, janë oksigjeni i mbajtjes gjallë të shpresave të kësaj tifozërie me veshje inteligjente dhe qytetarie.
E bujshme
Sapo ka nisur nga stërvitja, basketbollisti gjigand amerikani fluturues Kevin Allen. Gjatësia e tij është e frikshme: 2.11 m ose 211 centimentra. Absolutisht më i gjati në basketbollin shqiptar. Lartësia e koshit nga baza e parketit është 3.05 metër. Përfytyroni gjatësinë e amerikanit, plus shtrirjen e dorës dhe kërcimin, se çfarë i bën unazës së koshit. Goga Basket kërkon titullin kampion. Fazën e parë e mbylli në krye, duke u kthyer në kapelen e superligës. Por më parë Goga Basket kërkon të fitojë kupën e Shqipërisë. Kjo do të përvbëje një dukuri historike, të pandodhur kurrë më parë. Shorti i sapo hedhur është ky:
1 shkurt 2019
Teuta – Partizani ora 16.00
Goga Basket – Tirana 0ra 19.00
2 shkurt 2019
Fitueset e dy çifteve ora 19.00
Kevin Allen është i datëlindjes 9 gusht 1994, 25 vjeç. Peshon 116 kilogram. Gjatësia 2.11 m. Gjigand i vërtetë. Vjen nga basketbolli rumun. Në fazën e parë është aktivizuar me ekipin Targu Jui të Rumanisë. Mesatarja e pikëve për çdo ndeshje është 27.9. Në vitin 2018, ka luajtur me klubin Jinotega të Nikaraguas. Është shpallur lojtari më i mirë i huaj i vitit, duke qenë qendra më cilësore e e sezonit. Është përfshirë në All Star.
Ajo që veçohet tek amerikani Allen është se, në vitin 2017 kur është aktivizuar me ekipin PEA, ishte lojtari i vetëm i huaj që lejohej të aktivizohen në Tailandë.
Goga me pesë personazhe të huaj
Me ardhjen e Kevin Allen tek Goga Basket, numuri i basketbollistëve të huaj shkoj në pesë. Janë tre amerikanë: Griffin Ramme (1.98 m), Aaron Williams (1.96 m), Kevin Allen (2.11 m ), 2 malazezë: Aleksandër Miliç (2.07 ), Nikola Dokoviç (1.96 m). Duke iu bashkuar këtyre edhe trajneri i mirnjohur, ish lojtar i përfaqësueses malazeze Nikola Milatoviç, shkon në 6 numuri i të huajve tek Goga Basket. Këtyre basketbollistëve i bashkëngjiten basketbollistët durrsakë Marsel Aliaj (2 m), Herion Fasllija (2.06 m), Niko Thano (1.98 m), Klevis Isaku (1.98 m), Denis Veselagu dhe Ilmi Pasha. Mesatarja e shtatlartësisë është mbi 2 metra. Çfarë të dhënash! Asnjëherë kështu.
Spiro Leka asiston Goga Basket
Kontrata 6 mujore që lidhi Igli Goga me specialistin e njohur Spiro Leka, ka avantazhuar ecurinë cilësore të ekipit drejt progresit. Gjithçka po vihet mbi shina të drejta, duke i paraprirë mendimi veprimit, bindja logjikës së mirfilltë shkencore dhe metodike. Efektet e punës së Piro Lekës, kanë dhënë efektet e para. Janë ndërtuar dhe po zbatohen programe stërvitore bashkëkohore, mbi bazë grupmoshash dhe po ndiqet me vëmëndje progresi i çdo ekipi dhe i çdo basketbollisti.
Lidhje e ngushtë me italianët e akademisë Armani Jeans Milano
Igli Goga dhe Akademia sportive Goga basket që drejton, tenton të thellojë bashkëpunimin me akademi të huaja, që priren drejt një basketbolli të avancuar. Sapo u njohën me planet dhe projektet e Goga Basket, drejtuesit e Armani Jeans të Milanos dhanë mbështetjen e tyre të plotë. Manaxheri i përgjithshëm i akademisë milaneze të basketbollit Alberto Rosini, është i gatshëm që të sjellë pranë akademisë durrsake Goga Basket specialistë dhe persona të tjerë të kualifikuar, për të trajnuar dhe dhënë eksperiencë bashkëkohore trajnerëve dhe basketbollistëve. Do të shkëmbehen grupe specialistësh dhe ekipe, për të ndikuar në ecurinë dhe rritjen cilësore të akademisë Goga Basket. Gradualisht Goga Basket po kthehet, në një qendër zhvillimi dhe përparimi të basketbollit.
Durrësit po i kthehet tradita, një traditë e lyer me mundin, përpjekjet dhe angazhimin e disa brezave të basketbollit. Ky djep i basketbollit, po rinis të lëkundet. Dhe lëkundje të tilla, nuk kanë qenë kurrë më parë.
Faleminderit Goga Basket dhe presidentit të saj Igli Goga, për këtë klimë të favorshme dhe shumë optimiste të basketbollit në Durrës! Ky urim shkon për Goga Basket nga çdo sportëdashës dhe qytetar durrsak.
Goga Basket po kthehet në krenarinë e sporteve të Durrësit, një krenari që ka brenda pasion dhe vullnet, si dhe investime dhe përkushtim.
Ska më mirë se kështu!





