Policia greke ka sekuestruar 93 kg marijuanë dhe 3 automjete ndërsa pas kontrolleve të kryera përfunduan në pranga 3 shqiptarë dhe 3 grekë. Gjashtë të arrestuarit rezultojnë pjesëtarë të një grupi të trafikut të drogës Shqipëri-Greqi.
Dy prej shqiptarëve të moshës 31 dhe 52 vjeç, kishin rol trafikimin e drogës nga Shqipëria në Greqi dhe më pas transportin drejt Selanikut ku ja dorëzonin pjesës tjetër të grupit. Në momentin kur ka ndërhyrë policia teksa po shkëmbehej një sasi droge janë pikasur 5 nga trafikantët.
Fillimisht u kapën 3 prej tyre, dy shqiptarë të moshës 31, 52 dhe një grek 51-vjeç. Dy grekë të tjerë 35 dhe 64 vjeç u larguan me makinë por u kapën më vonë në rrugën kombëtare Selanik – Moudiana.
Gjatë operacionit u gjetën dhe sekuestruan 52 kg 728 gram marijuanë dhe 1150 euro. Teksa kontrollonte në një banesë, policia sekuestroi 40 kg 225 gram marijuanë, 2220 euro 1 peshore dhe u arrestua një shqiptar tjetër 31-vjeçar.





