Gjatë vitit 2018 mallrat për import-eksportet nga/drejt Durrësit janë transportuar me anije në 71 porte në 20 vende të Europës, Afrikës, Azisë dhe Amerikës-bëhet e ditur nga statistikat vjetore të APD-së.
Mallrat e import-eksporteve nga/drejt Durrësit në vitin që lamë pas, kanë patur si destinacion 20 porte të Turqisë, vendi më numrin më të madh të porteve ku ankorohen anijet që mbërrijnë ose nisen nga porti më i madh i vendit tonë.
Ndërkaq mallrat që shkëmbehen nëpërmjet Durrësit kanë si destinacionet më të largëta dy porte në SHBA dhe një tjetër në Venezuelë.
Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD, mësohet se anijet që janë nisur nga Durrësi me mallra eksporti ose që kanë mbërritur në portin më të madh të vendit tonë me mallra importi, janë ndalur në 20 porte të Turqisë, vendi me të cilin janë shkëmbyer 23 për qind e importeve dhe 7 për qind e eksporteve nga Durrësi.
Mallrat e nisura nga/drejt Durrësit janë përpunuar gjithashtu nga anijet në 9 porte të Italisë, në 7 porte të Rusisë dhe Greqisë, si dhe 4 të tjerë në Kroaci.
Anijet me mallra që nisen ose vijnë në Durrës gjatë vitit 2018 janë përpunuar gjithashtu në Maltë, Spanjë, Francë, Bullgari, Tunizi, Ukrainë, Kroaci, Libi, Liban, Egjipt, SHBA, Venezuelë, Izrael, etj.