Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku ka deklaruar se do të nisë një proces skanimi për HEC-et në të gjithë vendin. Në një deklaratë  për mediat, ministrja tha se ka vendosur ngrirjen e të gjitha kontratave jo operative deri në daljen e rezultateve të operacionit të skanimit.

“Jam informuar intensivisht gjatë këtyre ditëve në detyrë mbi situatën dhe ecurinë e kontratave koncesionare të hidrocentraleve të cilat janë 182 kontrata që i korrespondojnë 440 HEC-eve. Sot vetëm, 96 e hidrocentraleve janë operative. Ato i përkasin 73 kontratave koncesionare dhe kjo përbën një arsye për një vëzhgim të detajuar të të gjithë kontratave ende jo operative në funksion të një sërë konkluzionesh të nevojshme për të gjykuar strategjinë e këtij sektori, efikasitetin e politikës së ndjekur në vite për stimulimin e HEC-eve të vegjël, impaktin ekonomik e social të tyre e me radhë. Në këto kushte, kur kemi shumë më shumë kontrata ende jo operative sesa operative është koha të bëjmë një ndalese dhe të gjykojmë për vazhdimësinë. Kam vendosur fillimin e një procesi skanimi të dokumentacionit licencues, të çdo subjekti të licencuar dhe po ashtu skanimin fizik të çdo HEC-i dhe subjekti realizues. Ky proces do të do ndiqet nga një grup pune i udhëhequr nga zv/ministri zoti Bonati, i cili ka bërë një pune voluminoze dhe të vyer në sektorin e urave”.

Skanimi do bëhet në dy kritere, shpegoi Balluku: “kriteri i përputhshmërinë ligjore dhe përmbushja e kushteve kontraktuale nga subjektet e licencuara duke përfshirë këtu kushtet teknike dhe afatet kohore të respektuara ose jo. Si dhe kriteri i përputhmërisë me kërkesat mjedisore”.

Lidhur me kohën e procesit të skanimit, Balluku tha se kjo do të varet nga problematika. E pyetur për rrezikun e përfundimit të çështjeve në Arbitrazh, u përgjigj se, “s’do bëjmë asnjë veprim arbitrar”.