Partia Demokratike kritikoi ashpër deklaratën e bërë nga Prokurorja e Krimeve të Rënda Donika Prela, e cila në përgjigje për zyrtarët e ONM-së tha se bashkëshorti i saj nuk ka pse të paguajë taksa, pasi Shqipëria nuk është vend i BE-së.

Sekretari për çështjet ligjore në PD, Çlirim Gjata shtoi se problemi më i thellë në vend është standardi i dyfishtë  i procesit të vetingut. Ai u shpreh mes tjerash se prokurorja Donika Prela nuk duhet të qëndrojë për asnjë sekondë në atë detyrë, sidomos pas deklaratave të fundit.

"Çështja është se çfarë deklaroi kjo zonjë para organeve të vetingut. Në momentin që zyrtari i ONM-së  e pyeti Donika Prelën se pse bashkëshortin i saj nuk paguan taksa. Ajo tha se nuk kemi të njëjtin standard, sepse Shqipëria nuk është vend i BE-së. Kjo ishte pak a shumë logjika e gjithë deklaratës së saj. Bashkëshorti i saj falet dhe nuk ka asnjë përgjegjësi kur nuk paguan taksa. Biznesmenët pa përkrahje politike, që nuk kanë lidhje me pushtetit, që i shërbejnë qytetarëve futen në burg. Double standardi në veting. Kemi një shkelje të prokurores së krimeve të rënda Donika Prelës, e cila nuk duhet të qëndrojë në detyrë vetëm për këtë shkak.  Prela mban të mbyllura dosjet në favor të pushtetit dhe të kryeministrit, duke nisur nga dosja 339 e Dakos, i cili është kapur në shit-blerje votash", tha ai.