Ylli i R&B Chris Brown u arrestua ditën e hënë me akuzën për përdhunim.

Incidenti i supozuar raportohet të ketë ndodhur në hotelin luksoz Mandarin Oriental më 15 janar në Paris.

Por ditën e djeshme ai është liruar nga burgu pa asnjë akuzë. Një hetim mbi incidentin e pretenduar po vazhdon, thanë zyrtarët në kryeqytetin francez.

Pas lirimit, Chris përdori rrjetet sociale për të mohuar çdo akuzë.

"Dua ta bëj plotësisht të qartë, se akuzat janë të rreme. Për vajzën dhe familjen time kjo është mosrespektuese, si edhe nuk është në karakterin dhe moralin tim.", shkroi ai në Instagram.

Dy burra u arrestuan së bashku me Brown, të identifikuar nga mediat franceze si truproja dhe një mik i tij, të cilët gjithashtu janë liruar. Avokati i Brown, Raphael Chiche, tha se këngëtari deklaroi pafajësinë e tij dhe se do padisë 24-vjeçaren për shpifje.