Presidenti Ilir Meta ka vizituar sot Arkipeshkvinë e Tivarit, ku u prit nga Imzot Rrok Gjonlleshaj. Përmes një postimi në "Facebook", Meta thotë se në këtë objekt kulti kanë shërbyer kolosë të besimit katolik, si Pjetër Bogdani si dhe përkthyesi i parë i Biblës në gjuhën shqipe, Dom Simon Filipaj.

"Shumë i lumtur të vizitoja Arkipeshkvinë një mijëvjeçare të Tivarit, ku u prita nga Imzot Rrok Gjonlleshaj, me të cilin biseduam për rëndësinë e jashtëzakonshme dhe universale që luan besimi në shërbim të bashkëjetesës dhe harmonisë sociale. Këtu kanë shërbyer shumë kolosë të besimit katolik, në veçanti i madhi Pjetër Bogdani si dhe përkthyesi i parë i Biblës në gjuhën shqipe, Dom Simon Filipaj", tha Meta.

Më herët, Meta ka vizituar Katedralen "Shën Pjetri Apostull" në Tivar. "I impresionuar nga vizita në Katedralen e mrekullueshme të "Shën Pjetrit Apostull" në qytetin historik të Tivarit, ndërtuar edhe falë bujarisë së diasporës sonë dhe punës së jashtëzakonshme të mjeshtrave të arkitekturës, pikturës, skulpturës e punimit të gurit, të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare. Përgëzova Dom Kelmend Spaçin dhe motrën Luljana Marku për përkushtimin ndaj besimtarëve dhe i falënderova për mikpritjen e ngrohtë", shkruan Meta në postimin e tij.