Partia Socialiste ka reaguar pas propozimit të Presidentit Ilir Meta për kreun e KLSH-së, Bahri Shaqirin, ish-kreun e SHISH dhe aktualisht këshilltarin i tij.

Deputeti Ulsi Manja shkruan në Facebook se kandidatura e Bahri Shaqirit për Kontrollin e Lartë të Shtetit, përveçse është një kandidaturë me profil të lartë politik pasi vjen nga forumet drejtuese të LSI, ka edhe një problem serioz kushtetues, pasi sipas tij nuk ka ekspertizë në fushën e financave.

“Mbase zoti Shaqiri ka punuar me financat e LSI dhe këtë mund të ketë pasur parasysh kryetari në distance i LSI, Presidenti Meta, kur e ka propozuar”, shkruan Manja.

POSTIMI I PLOTË

Presidenti IM sot dekretoi propozimin e kandidaturës së Bahri Shaqirit për në krye të KLSH . Përtej faktit të të bërit politike, sinqerisht nuk arrij të kuptoj pse qenka kaq e vështirë për ta lexuar shqip në gërmë dhe frymë Kushtetutën e RSH?!

Kandidatura e Bahri Shaqirit për Kontrollin e Lartë të Shtetit, përveçse është një kandidaturë me profil të lartë politik pasi vjen nga forumet drejtuese të LSI, ka edhe një problem serioz kushtetues. Kushtetuta e përcakton qartë si kriter të kandidatit për drejtimin e KLSH, ekspertizën në fushën e financave. Mbase z.Shaqiri ka punuar me financat e LSI dhe këtë mund të ketë patur parasysh, kryetari në distancë i LSI, Presidenti Meta, kur e ka propozuar. Por e para s'ka të dhëna publike për këtë aktivitet, dhe e dyta edhe sikur të na i vinte në dispozicion këto të dhëna LSI-ja, sidoqoftë kjo nuk do ta zgjidhte problemin kushtetues të kandidaturës. Madje mund ta komplikonte atë. Natyrisht ky është thjesht një opinion personal juridik, po për sa i takon Komisionit të Ligjeve e shoh realisht të pamundur dritën jeshile për z.Shaqiri. Për të cilin kam respekt për si e ka drejtuar SHISH-in, në kohën kur qeverisnin z.Berisha bashkë me z.Meta. Ndërkohë është shqetësues fakti se, në mënyrë të përsëritur, për të disatën herë radhazi, Presidenti Meta po manifeston një mungesë të theksuar vullneti për ta lexuar shqip Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ky po që është një problem edhe më i madh se sa pamundësia për t'i dhënë OK kandidaturës së këshilltarit te tij.