Policia e Anglisë ka konfirmuar se një grup prej rreth 20 tifozëve të Chelseat janë në kërkim pasi që besohet se ata i kishin sulmuar seksualisht disa gra në tren, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes kundër Tottenhamit. Chelsea e humbi mbrëmë ndeshjen e parë gjysmëfinale të Carabao Cup kundër Tottenhamit me rezultat 1-0.

Golin e fitores për vendasit e shënoi Harry Kane në minutën e 26-të nga pika e penalltisë. Kjo ndeshje ka ngjallur mjaft shumë debat pasi që përveç ankesave të Chelseat drejt VAR-it, tre tifozë ishin arrestuar para ndeshjes pasi ishin zënë duke bërë thirrje raciste nga rojet e sigurimit.

As pas përfundimit të ndeshjes, tifozët nuk u treguan më të qetë, pasi që tani policia e Anglisë ka bërë të ditur se është në kërkim të rreth 20 tifozëve të Chelseat, të cilët besohet se i kanë sulmuar seksualisht disa gra në tren.

"Një grup prej 20 tifozëve të futbollit udhëtuan me trenin Great Western Service nga stacioni Paddington në Londër dhe filluan të bëjnë thirrje raciste para disa familjeve dhe fëmijëve. Ata u panë duke i sulmuar seksualisht një numër të grave në tren. Besohet se ata janë tifozë të Chelseat", shkruhet në deklaratën e lëshuar nga policia.

Ky incident vjen vetëm disa ditë pasi një tifoz i Chelseat u gjobit me 1 mijë euro dhe ia ndalua përcjellja e ndeshjeve në stadiume për tri vite, pasi u zbulua se ai kishte bërë thirrje homofobike gjatë një ndeshjeje të klubit londinez.Muajin e kaluar, Chelsea ia ndaloi ardhjen në stadium edhe katër tifozëve të tjerë, të cilët e kishin abuzuar në baza racore yllin e Manchester Cityt, Raheem Sterling, gjatë një ndeshjeje në Premierligë.

Për më tepër, edhe në dhjetor, Chelsea u ballafaqua me kritika pasi që tifozët e klubit anglez kishin bërë thirrje raciste kundër çifutëve në një ndeshje të Evropa Ligës, kur MOL Vidit në Hungari.