Teuta nis zyrtarisht minifazën përgatitore. Ashtu sikundër ishte planifikuar, dje ekipi është grumbulluar. Pjesë e organikës janë edhe disa lojtarë të përzgjedhur nga akademia, konkretisht nga ekipi U-19. Skuadrës i mungonte dje vetëm kapiteni Tefik Osmani, ndërsa pjesa tjetër ka qenë e gjitha nën urdhrat e Bledi Shkëmbit.

Durrsakët kanë zhvilluar dy seanca këto ditë. Shumë përqendrim dhe dëshirë kërkon trajneri gjatë kësaj periudhe dhe duket se lojtarët në këto ditë të para po i përgjigjen maksimalisht. Stafi teknik nuk do të humbasë aspak kohë dhe pret të rikthejë dhe të sjellë në gjendjen më optimale skuadrën, për të përballuar gjysmën e dytë të sezonit, që pritet të jetë akoma dhe më i fortë.

LATIF – Seanca e radhës ka vijuar intensivisht, por jo për të gjithë lojtarët. Edhe dje është parë i veçuar nga grupi Amadu Latif. Kujtojmë se sulmuesi ganez u kthye në Durrës ditën e diel, por nuk u përfshi në miqësore (ndryshe nga Traore, që gjithashtu erdhi me vonesë). Në seancën e djeshme ai është lënë sërish i distancuar nga ekipi, me qëllim që të kapë formën e tij më të mirë dhe për të qenë sa më shpejt i gatshëm në urdhrat e teknikut. Duke si një formë ndëshkimi nga ana e klubit për shkak të vonesës. Madje, edhe vetë klubi pati deklaruar se lojtari do të gjobitej.

DËMTIMI – Në testin e zhvilluar ndaj të rinjve është dëmtuar Florent Avdyli. Lojtari ka pasur një lëndim në kavilje dhe për pasojë stafi teknik ka menduar që të mos e rrezikojë, ndaj e la pushim. Gjithçka për të mos e rënduar gjendjen e tij, që në fakt nuk është e rëndë.

MERKATO – Nëse afrimi i Renato Arapit është drejt zyrtarizimit (pret vetëm që të zgjidhë problemet me klubin turk), pezull mbetet çështja e sulmit. Drejtuesit po vazhdojnë kërkimet për një “bomber” dhe shpresojnë që të sigurojnë shërbimet e duhura gjatë kësaj merkatoje. Ende asgjë konkrete, por prioritet është sigurimi i një partneri për Amadu Latif. Dhe nëse gjendet, atëherë merkatoja e janarit do të mbyllet pikërisht këtu. Kujtojmë se Teuta është përforcuar vetëm ne mbrojtje, ndërsa mesfusha pritet që të mbetet e paprekur.

PEQINI – Është lojtari i radhës që lë Durrësin. Por, në ndryshim nga largimet e radhës, këtë herë bëhet fjalë për huazim. Jurgen Peqini ka kaluar tek Erzeni i Kategorisë së Parë, atje ku do të ketë ndoshta më shumë minuta në këmbë, pasi te Teuta nuk pati shumë hapësira. Peqini bëhet kështu largimi i pestë i kësaj merkatoje.

OSMANI – Kapiteni i Teutës ka munguar sërish në seancën stërvitore, e cilësuar dhe si dita e parë e grumbullimit zyrtar në Durrës. Tefik Osmani vazhdon të ketë lejen e klubit, diçka e tillë është konfirmuar dhe nga vetë tekniku Shkëmbi.