Suksesi ka shumë prindër, por nëse kjo Teutë e këtij sezoni po shkëlqen, një ndër baballarët e tij në kampin durrsak është pa diskutim Isli Hidi. Pa pritjet e tij, një pjesë e mirë e 33 pikëve të grumbulluara nga bregdetarët në gjysmën e parë të kampionatit, do të mungonin.

Hidi u kthye verën e shkuar në Shqipëri, pas një karriere të gjatë jashtë vendit, i shoqëruar edhe me ndonjë hije skepticizmi, për 38 vitet që mban mbi supe, pasqyrë e një eksperience mjaft të pasur, me mbi 250 ndeshje si profesionist.

“E vërtetë që kam disa vite që luaj jashtë, por sporti është njëlloj, si atje edhe këtu. Ambientimi dhe rikthimi ishte në momentin e duhur dhe besoj se eksperienca bëri që të jem i qetë dhe të vazhdoj punën. Një ndikim pozitiv pati edhe qetësia që të ofron klubi i Teutës dhe stafi teknik këtu, ndaj tashmë shpresoj që të vazhdoj në këto nivele paraqitjeje”, tha Hidi.

Teuta ndodhet në vendin e tretë, me vetëm 4 pikë larg kreut, një situatë kjo që nuk është se ndodh çdo vit, ndaj Hidi e pranon se pavarësisht besimit, skuadra ka surprizuar edhe veten e saj në gjysmën e parë të kampionatit.

“As vetë nuk e kam menduar që Teuta të ishte në këto nivele, pavarësisht se çdo futbollist ka pretendime për më lart. Si skuadër e re që ishim dhe e filluam çdo gjë nga zero dhe besoj se kemi bërë shumë mirë, ndaj tani nuk na mbetet veçse të vazhdojmë këtë ecuri”, shprehet portieri i durrsakëve.

Erlis Frashëri ishte përforcimi i parë i durrsakëve në këtë merkato janari dhe emra të tjerë mund ta ndjekin pas sepse Teuta ka nevojë për kualitet, që të synojë gjëra të mëdha.

"Kampionati tani fillon dhe bëhet akoma më i vështirë, pasi rivalët nuk do të na shikojnë më si një Teutë me lojtarë të rinj, por me një tjetër sy. Një ekip që synon të rrijë në majë të tabelës dhe të luajë për objektiva të mëdha, duhet të ketë 20-25 lojtarë kualitativë në përbërje", shprehet portieri kryeqytetas. 

Të gjithë në Durrës duan një Teutë kampione, por titulli është një ëndërr për t’u ndjekur, pasi siç Hidi e thekson, objektivi është arritja e një vendi në zonën europiane.

“Unë vazhdoj të eci me këmbë në tokë, duke thënë se objektivi ynë është që të jemi në 4-shen që të çon në kupat e Europës. Ky është një sukses për ne edhe për klubin, por nëse do të ecim me këto ritme dhe do të synojmë edhe titullin, atëherë do të jetë diçka ekstra”, tha portieri i Teutës.