Nuk ka shumë arsye për të festuar 50-vjetorin e Michael Schumacher këtë 3 janar, por shpresa i ka shtyrë të gjithë të vazhdojnë kërkimet e të këmbëngulin në një përmirësim të gjendjes së tij shëndetësore.

E derisa të gjendet një shenjë më optimiste për vazhdimësinë e jetës së tij, bota e automobilizmit dhe e Formulës 1, në këtë fillim viti ka kujtuar gjithçka ka bërë legjenda gjermane e F1-shit.

Tashmë kanë kaluar 5 vite nga aksidenti i rëndë që i ka dëmtuar trurin dhe ende nuk dihet asgjë saktësisht se çfarë ndodh në rezidencën e tij gjigante pranë liqenit të Gjenevës. Atje është transferuar që nga shtatori i vitit 2014.

Schumacher u rrëzua më 29 dhjetor të vitit 2013, teksa po bënte ski, së bashku me të birin e tij Mick, në Meribel të alpeve franceze. Gjatë rënies goditi kokën në një gur, në krahun e djathtë ku helmeta e tij ishte e hapur.