Atletiko e Madridit është skuadra me të cilën Juventusi do të luajë në 1/8-at e Ligës së Kampioneve, për të tentuar vazhdimin e kësaj aventure dhe ndjekjen e ëndrrës “Champions”.
Por, ndërsa bardhezinjtë italianë vazhdojnë të vendosin rekorde në kampionatin e tyre, në klubin spanjoll situata është krejt e kundërt, edhe pse deri në mesin e muajit shkurt, kur të dyja ekipet do të vihen përballë, kohë ka mjaftueshëm për të korrigjuar gjërat.
Gjithsesi, atmosfera aktuale tek Atletiko nuk është aspak pozitive, madje është një kaos total, e shkaktuar prej disa prej liderëve të këtij ekipi. E para lidhet me Lukas Hernandezin, mbrojtësin anësor, i cili do të transferohet te Bajerni i Mynihut në janar dhe gjetja e një zëvendësuesi nuk është aspak e lehtë.
Sulmuesi Tomas, pas golit ndaj Espanjolit lëshoi bombën: “Tek Atletiko nuk jam i lumtur”, ndaj edhe këtu gjërat duken keq. Por akoma më shumë se kjo, është kaosi që po shkaktojnë Diego Kosta dhe Jan Oblak.
Sulmuesi ka nisur që të kërkojë të njëjtën pagë të Grizmanit, prej 21 milionë eurosh në vit, ndërsa portieri ka kërcënuar se mund të largohet, nëse nuk i përmirësohet paga prej 4 milionësh në sezon, duke parë se në Angli i ofrojnë 3-fishin e saj.
Shkurt, drejtuesit e Atletikos, por mbi të gjitha trajneri Simeone duhet të nisin nga puna për të qetësuar situatën, ndryshe atmosfera mund të përkeqësohet edhe më tej.





