Aktivizimi i tij u dha tjetër impuls lojës sulmuese të Teutës, ndaj Uendi Vecaj meritoi vlerësimin si më i miri i ndeshjes.
Ndryshuat lojën pasi u futët nga stoli…
Ishte një ndeshje pozitive. Në pjesën e parë toleruam pak, pasi u duk sikur e filluam më superiorë se kundërshtari. Në të dytën përmirësuam çdo gjë, morëm edhe barazimin. Stërvitemi për të dhënë maksimumin, dhe ishte pozitive si ndeshje.
Pretendoni të luani titullar?
Të gjithë duan ta fillojnë nga fillimi, por këtu ka shumë futbollistë të mirë. Unë stërvitem çdo ditë dhe jap maksimumin për të kapur formacionin. Shpresoj që vitin që vjen të jem aty me çunat.
Në stërvitje këni bërë “xixa” për të bindur Shkëmbin?
Pa diskutim që e kam bërë dhe kam bërë ç’të mundem t’ia mbush mendjen profesorit, por futbolli i tillë është, dhe duhet të pranoj çdo gjë.
Keni ende çfarë të jepni për këtë Teutë?
Mendoj se kam për të dhënë shumë më shumë dhe do ta e arrij këtë gjë. Sa herë që futem nga stoli mundohem t’i jap një rrjedhë tjetër lojës.





