Asnjë humbje në 10 ndeshjet e fundit, plot 24 pikë të grumbulluara dhe vendi i dytë në tabelën e klasifikimit. Teuta e Bledi Shkëmbit padiskutim deri në këto momente është duke zhvilluar një kampionat përtej pritshmërive. Loja e bregdetarve po funksionon në mënyrën më të mirë të mundshme. Lojë e bukur dhe sulmi më i mirë.
Këto janë disa nga treguesit e ecurisë së deritanishme të “Djemve të Detit”, që këtë edicion po lundrojnë në drejtimin e duhur.E në fakt gjithçka që po arrin të bëjë Teuta deri në këto momente ka patur edhe një tjetër efekt tepër pozitiv, siç është rikthimi i tifozve të kësaj skuadre në Niko Dovana. Deri më tani ekipi i Bledi Shkëmbit e ka parë veten përpara disa dueleve delikate, të cilat i ka kaluar me sukses.
Mjafton këtu të përmndet takimet e fundit, barazimi me Partizanin dhe Kukësin ose fitoret me Laçin dhe Skënderbeun .Gjithsesi provat e pjekurisë për ta nuk kanë përfunduar ende dhe sfida tjetër me Laçin do të jetë një tjetër matës i kapaciteteve që ka Teuta.
Në radhët e durrsakve të gjithë qëndrojnë me këmbë në tokë, askush nuk kërkon të avancojë me tepër seç duhet në dëshirat që kanë. 2018-ta do të mbyllet me duelin ndaj kurbinasve barazimi do të ishte një rezultat i pranueshëm, fitorja akoma edhe më shumë.





