APD ishte të mërkurën mikpritëse e seminarit "Zhvillimi i qendrueshëm i Metropoleve". Ky cikël seminaresh me specialistë të huaj drejtohet nga "AVITEM" (Agjensia Franceze për Zhvillim të Qëndrueshëm në Mesdhe), Banka Botërore, Agjencia Franceze e Zhvillimit, GIZ dhe Ambasada Franceze në Shqipëri.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD, Afrim Bakaj, uroi mirëseardhjen “në portin dhe qytetin më të lashtë të vendit tonë” dhe i hapi rrugë fillimit të seminarit, i cili trajton kryesisht problematikat e territorit të bipolit Tiranë-Durrës.

Zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Artan Shkreli dhe znj. Alba Canaj referuan në seminar studimin “Nga projektet në veprim”, duke u ndalur veçmas në zhvillimet e metropolit Tiranë – Durrës, si dhe në projektet kryesore të sistemit rrugor në të gjithë vendin, e po ashtu edhe në projektet për aeroportet alternative dhe sistemin hekurudhor.

Të pranishmit që vijnë nga Franca, Tunizia, Maroku e Algjeria shfaqën mjaft interes për portin e Durrësit gjatë vizitës 1-orëshe në Terminalin Perëndimor dhe në atë të Trageteve, ku specialistët e sektorit të Promocionit ofruan të dhëna mbi zhvillimet portuale të kohëve të fundit, si dhe për projektet e afërta të thellimit të basenit dhe kanalit hyrës. 

Të dhënat e specialistëve portualë vijuan edhe gjatë seminarit, që u zhvillua në sallën e Trajnimeve në APD.
Organizatorët thanë se dy seminaret e shkuara, u zhvilluan në Marok dhe në Tunizi, ndërsa në Tiranë dhe Durrës seminari po zhvillohet nga datat 9-14 dhjetor.