Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas vrasjes së 63-vjeçarit Petrit Zifle në Korfuz, krim që thuhet se është kryer nga një anëtar i Agimit të Artë. Në një deklarate për mediat, MEPJ ka kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
"Në përgjigje të interesit të medias në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Korfuz ku humbi jetën një shtetas i Republikës së Shqipërisë, zëdhënësja e MEPJ Edlira Prendi, bëri me dije se: “Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë është njoftuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Atikës, mbi vrasjen e shtetasit shqiptar Petrit Zifle, i lindur më 03.07.1955 në Shqipëri, banues në qytetin e Beratit dhe së fundmi me banim në Sparteron Korfuz. MEPJ shpreh keqardhjen për humbjen e jetës së shtetasit Petrit Zifle, përshëndet kapjen e autorit nga policia greke dhe bën thirrje për një hetim të plotë në funksion të zbardhjes tërësore të rrethanave të ngjarjes".
Konflikti mes 63-vjeçarit Petrit Zifle dhe autorit nisi në një lokal të zonës më 25 nëntor. Sipas mediave vendase, 44-vjeçari ishte përfshirë në një bisedë me të pranishmit për çështjen e emrit të Maqedonisë duke marrë shkas nga marrëveshja mes dy vendeve. Ai ofendonte Maqedoninë dhe qytetarët e tjerë jo grekë. Në këtë pikë të debatit ndërhyri edhe shqiptari Zifle.
Mes të dyve nisi konflikti, ndërsa 44-vjeçari e kërcënoi me vrasje. Për të ndarë sherrin ndërhynë klientët e tjerë që ndodheshin në lokal. Por, 44-vjeçari anëtar i “Agimit të Artë” ishte larguar dhe kishte shkuar të merrte armën. Ai i ngriti kurth 63-vjeçarit dhe e qëlloi për vdekje me çifte.
Më pas trupin e tij e kishte hedhur në një kanal në anë të rrugës, që u gjet një ditë më pas nga kalimtarë të rastit. Banorët e zonës thanë se shqiptari Petrit Zifle jetonte prej vitesh në Korfuz dhe nuk kishte konflikte me askënd. Mediat lokale kanë ngritur problemin e personave me prirje nacionaliste, sikurse janë ata të “Agimit të Artë”, ndërsa vdekjen e shqiptarit e kanë konsideruar si një “vrasje fashiste”





