Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 76 vota pro buxhetin për vitin 2019 dhe paketën fiskale, ndërsa opozita ka vijuar bojkotin. Edhe pse PD e LSI nuk ishin të pranishme në Kuvend, opozitën e qeverisë e ka bërë kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe. Referuar paketës fiskale, Braçe propozoi disa amendamente, nga të cilat vetëm dy u pranuan.

Debati më i fortë ishte për fashën e tatimit mbi të ardhurat. Kuvendi rrëzoi propozimin e Erjon Braçes për heqjen e tatimit mbi pagat deri në 40 mijë lekë. Aktualisht për pagat deri në 30 mijë lekë tatimi është zero, ndërsa Braçe kërkoi që fasha të bëhej deri në 40 mijë lekë, por është rrëzuar. Ndërkohë që u rrëzuan edhe amendamentet për heqjen e TVSH-së për të gjithë librashitësit dhe ndërtesat në pronësi të OJF-ve. Një tjetër pikë që ngjalli debat ishte edhe propozimi për rritjen nga 15-30% të taksës për bixhozin të hotelet me 5 Yje, që u rrëzua.