Skënderbeu la pikë në Korçë, me Teutën që vijon të shkëlqejë dhe tani ka regjistruar fitoren e 6 në 8 ndeshje, duke mos pësuar asnjë humbje. Durrsakët janë forca e tretë e kampionatit. Oreksi vjen duke ngrënë dhe javën e ardhshme do të përballen me Partizanin. Nëse arrijnë një sukses edhe me kryesuesit, askush nuk mund të thotë se nuk mund të pretendojnë për titull.

Korçarët në krahun tjetër edhe pse dominuan nuk e çanë dot “digën” durrsake. Edhe pse mendojnë për të arritur Partizanin, “Ujqërit e dëborës” ndjejnë presionin e ndjekësve që tashmë janë shumë pranë. Teuta luajti me 10 lojtarë për më shumë se 45 minuta, por ky superioritet numerik nuk u shfrytëzua nga lojtarë e Shehit. Laçi nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në shtëpi kundër Kamzës. Një fitore e mundshme do i ngjiste laçianët në vendin e tretë me Teutën, ndërsa tashmë renditën në vendin e pestë me 26 pikë. Partizani është larg, ndërsa Skënderbeu, Teuta dhe Kukësi janë afër.

Respektivisht 4, 2 dhe 1 pikë më shumë se bardhezinjtë. Teuta-Partizani do të jetë një ndeshje e tëra për t’u parë këtë javë. Durrsakët kanë mundësi të futen në garë për titull në rast fitoreje, pasi diferenca me të kuqtë do të shkonte tre pikë. Kështu që motivimi në skuadrën e drejtuar nga Bledi Shkëmbi është mjaft i madh.

“Djemtë e Detit” nuk do të jenë të plotë në këtë takim, pasi Fabjan Beqja u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen me Skënderbeun. Javët e fundit ai është parë të luajë në të majtë të mbrojtjes, pasi Esin Hakaj ka pasur shqetësime fizike.  Shkodrani pritet titullar në ndeshjen me Partizanin, klub të cilin ai e la për Teutën.