Prej shumë vitesh ka qenë “flamur” te Skënderbeu, ndërsa këtë verë u transferua te Teuta dhe pikërisht me durrsakët, arriti të triumfojë me rezultatin 0-1 ndaj korçarëve, në stadiumin “Skënderbeu”. 

Në intervistën e dhënë për emisionin “Gol pas Goli”, Osmani u rikthye edhe njëherë te largimi nga korçarët dhe shkaqet që e detyruan të ikë. Ai gjithashtu tregoi edhe një episod me arbitrin Jorgji, kur preku topin me dorë. 

A mund të rikthehemi edhe njëherë te largimi nga Skënderbeu? Pse u larguat nga Korça? 
Skënderbeu ka pasur shumë legjenda në skuadër, por lojtar si Tefik Osmani nuk do t’i vijë më. Unë jam tradhtuar dhe pikë së pari nga presidenti Ardian Takaj, i cili nuk diti të më mbajë në skuadër. Unë i tregova Takajt kushtet e mia për të qëndruar dhe më vjen keq pasi unë nuk tradhtova askënd, por të tjerët më tradhtuan mua dhe vijojnë të jenë te Skënderbeu. 

Gjithsesi, nuk është hera e parë që jeni larguar nga Skënderbeu… 
Nuk është hera e parë, por unë e ndjeja që këto fjalë duhet t’i thosha dhe më vjen mirë që po i them pas kësaj fitoreje. Teuta më ka hapur derën gjithmonë kur kam qenë në rrugë, pro duhet të dinë të gjithë se Osmani nuk është larguar asnjëherë me dëshirë nga Skënderbeu. 

I keni miq të gjithë futbollistët e Skënderbeut? 
Kam miq ata që më konsiderojnë edhe mua mik. 

E ndjeve që e preke topin me dorë aty mbi vijën e 16-metërshit? 
I thashë arbitrit që ta japë penallti, sepse do ta gjuante sërish Aliti dhe do të priste Isli sërish. Aliti ishte aty dhe po qeshte, ndërsa arbitri nuk e dha.