Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka treguar për raportet që ai ka me kryeministrin Rama, kreun e opozitës, Lulzim Bashën si dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.

I ftuar në emisionin “Opinion”, i pari i shtetit shqiptar ka veçuar marrëdhënien me Berishën, ndërsa raportet mes tyre i ka shënjuar si të veçanta.

“Marrëdhëniet e mia me z. Berisha janë marrëdhënie të veçanta. Është një kimi tjetër”, tha Meta.

Pjesë nga Intervista:

Personalisht a keni pasur ndonjëherë raporte me Ramën? A keni biseduar ndonjëherë jo si Kryeministri me ministrin apo me Kryetarin e Bashkisë, jo si dy kryetarë partie, jo si Kryeministri me Presidentin apo me Kryetarin e Kuvendit?
-Kjo është diçka e parëndësishme. Unë kam pasur marrëdhënie shumë të mira, kemi pasur edhe marrëdhënie problematike. Në detyrën që jam, për mua historitë e së kaluarës dhe raportet personale me asnjë nuk vlejnë. Për mua vlen sjellja institucionale, qëllimi i përbashkët për të cilin duhet bashkëpunuar.

Dhe ndërkohë e keni të vështirë të vendosni raporte personale me të apo refuzoni ta bëni këtë gjë?
-Nuk është ky prioriteti. Prioriteti im në raport me të gjithë në këtë detyrë është bashkëpunimi institucional.

Iu pyeta jashtë detyrës, më shumë si një raport. Vë re për shembull që pak ditë më parë ka qëndruar për një orë e gjysmë në një takim me ju. Nuk besoj që për një orë e gjysmë është folur për çështjen e Lleshit?
-Çfarëdolloj çështje që të diskutohet nuk ka rëndësi. Kjo nuk i intereson askujt se çfarë pimë ne, kafe apo kakao në kuptimin personal, apo se çfarë shakaje bëmë.

Po marrëdhëniet me z. Basha si janë?
-Raporte normale, institucionale.

Nuk ka raporte të tjera përtej këtyre?
-Nuk ka ndonjë raport të veçantë.

Po me z. Berisha?
-Këtu ka një dallim. Kuptohet që marrëdhëniet e mia me z. Berisha janë marrëdhënie të veçanta.

Kur ka lindur kjo “dashuri” e juaja për Berishën, z. Meta? Ju keni qenë kundërshtar politik për një periudhë të gjatë kohe, nga viti 1992 të paktën deri në vitin 2009, kur u bashkuat në një koalicion me të?
-Të gjitha në kompleksin e tyre kanë krijuar një marrëdhënie të veçantë. Është një kimi tjetër.