Manchester United siguroi kualifikimin në turin me eliminim direkt të Champions League duke fituar në frymën e fundit 1-0 ndaj Young Boys. "Djajtë e kuq" shpërthyen në festë pas golit të Fellaini dhe ishte legjitime, pasi e dominuan totalisht kundërshtarin.

Por ajo që tërhoqi më tepër vëmendje ishte mënyra se si Jose Mourinho e festoi golin. Portugezi sërish rrëmbeu skenën. Ai mori një koli shishesh, e ngriti mbi kokë dhe më pas e përplasi në tokë fort. Pas takimit, opinionistët e kritikuan festimin e trajnerit, por portugezi ia ktheu me të njëjtën monedhë: 

"Do t’i ftoja këta njerëz të ulen në stol si trajnerë. Por ndoshta është më mirë që të kenë shumë pushime në Barbados dhe pastaj të dalin në ekran dhe të merren me pajisjet elektronike. Kjo është shumë më e rehatshme se të jesh në stol, jam shumë i sigurt që një trajner i mirëfilltë i futbollit nuk do të kritikojë asnjë tjetër për atë që ata bëjnë, është ndryshe".-tha fillimisht portugezi.

I pyetur se si u ndje, Mourinho u përgjigj: 

"I lehtësuar. Kisha stres se nuk po bënim dot gol. Kritikuesit? Kam një mesazh për të gjithë ata që më duan. Kam luajtur në Champions për 14 vite radhazi dhe të 14 herët jam kualifikuar. Dy vite që nuk luajta në Champions, fitova Ligën e Evropës 2 herë", deklaroi 55-vjeçari që nuk e ka nisur mirë këtë sezon, edhe pse në Champions League është brenda objektivave.