Kryeministri Edi Rama, duket se ka thyer në njëfarë mënyrë heshtjen lidhur me taksën doganore 100% të Kosovës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Teksa po qëndron në Kosovë, ku sot pritet mbledhja e përbashkët e dy qeverive, Rama ka shprehur qartë mbështetjen për aksionin tregtar të Kosovës në një foto me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë të Kosovës Endrit Shala.

Mbi foto, shkruhet 100%. Dhe Shala shkruan: "Foto dhe mbishkrimi 100% , e bërë vetë nga z. Rama".

Më herët ministri shqiptar i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në një intervistë për televizionin Scan i sugjeronte Kosovës të mos marrë masa të tilla me asnjë vend, pasi vendosja e tarifave shkon si kosto mbi qytetarët.