Ka mjaftuar një gol i shënuar nga fantazisti Sherif Kallaku, që Teuta të mposhtë Luftëtarin me rezultatin 1-0 dhe të marrë një 3-pikësh që redukton distancën me kreun e renditjes. Futbollisti i skuadrës durrsake u shërbye nga Amadou Latif mbi vijën e 16-metërshit, që në fillim të takimit dhe me një gjuajtje mjeshtërore, mposhti portierin gjirokastrit.

Skuadra e Blendi Shkëmbit e nisi mjaft mirë takimin dhe u shpërblye me gol që në minutën e tretë, ndërsa gjirokastritët u munduan të reagojnë, por pa mundur të gjejnë golin e barazimit.

Vlen të theksohet se në përfundim të takimit, futbollistët e Luftëtarit nuk i kursyen kritikat për arbitrimin, duke treguar hapur pakënaqësinë e tyre. Nga ana tjetër, me këtë fitore, Teuta shkon në kuotën e 25 pikëve, në vendin e tretë të renditjes, me vetëm 6 pikë më pak se Partizani kryesues, duke u konfirmuar si një skuadër simpatike, që ka pretendime reale për këtë sezon.