Menjëherë pas kryetarit Basha, në sallën e konferencës për shtyp të selisë së Partisë Demokratike, u paraqit edhe deputeti i kësaj force, Ervin Salianji.

Ndryshe nga Basha, Salianji foli sërish për dosjen hetimore ku është i implikuar edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

Dosja numër 339 vërtetoi lidhjen e politikës me krimin dhe Vangjush Dakon si simbol të kësaj bashkëjetese. Kryebashkiaku i Durrësit, në bashkëpunim me bandën e Durrësit dhe Shijakut, kanë kryer krim elektoral, duke vjedhur dhe manipuluar votat e qytetarëve. Në Itali kemi një qeveri që refuzon votat e krimit, ndërsa Edi Rama qeveris me votat e krimit dhe kjo është arsyeja, pse ne na janë mbyllur dyert e Europës”, deklaroi Salianji.

Në mbyllje, deputeti i Partisë Demokratike përsëriti edhe njëherë apelin e tij për Prokurorinë, që të avancojë punën me dosjen 339 dhe të arrestojë Vangjush Dakon.

Deklarata e deputetit Ervin Salianji:

Dosja 339, e cila i ka shfaqur publikut bashkëpunimin e qeverisë me bandat për të mbajtur pushtetin me çdo mjet, është dëshmia sesa larg Europës po na mban Edi Rama. 

Dje, në Itali, zëvendëskryeministri Luigi di Maio, refuzoi të shkojë në një takim elektoral, sepse kandidati i tij kishte publikuar një foto me nipin e bosit të mafias, Provenzano, duke kërkuar nisjen e dialogut me familjet mafioze. 

“Ky është një koncept shumë i rrezikshëm. Duke bërë një foto të tillë, po i jep mesazh bashkëpunues botës së krimit. Ato vota nuk i duam, i perbuzim! Shteti nuk mund të ketë afrimitet me këta persona”- u shpreh zëvendëskryeministri italian.

Po dje, pak orë më vonë, në Tiranë, kryeministri Edi Rama u tregoi shqiptarëve se bashkëpunimi me krimin e organizuar në fushatë elektorale është normalitet politik, që as nuk duhet të vihet në diskutim. “Në fushatë nuk pyetet për biografinë dhe për dëshminë e penalitetit.”- tha kryeministri i Shqipërisë për t’i dalë në mbrojtje Vangjush Dakos, simbolit të bashkëpunimit me krimin e organizuar në fushatë elektorale. 

Kontrasti është i qartë: në Itali është një qeveri që refuzon vota nga të afërmit e mafiozëve, në Shqipëri është një qeveri që drejton vendin me votat e mafiozëve dhe të krimit të organizuar. 

Ky është thelbi pse vendi ynë refuzohet prej 5 vjetësh në familjen europiane!

Strategjia e Edi Ramës për ta shitur bashkëpunimin me krimin si normalitet politik synon të mpijë reagimin e shoqërisë, kërkon të imponojë pranimin e krimit si pjesë të shëndetshme të saj, për të asgjesuar demokracinë në vend.    

* Vangjush Dako me bandën e Avdylajve dhe bandën e Durrësit.

* Taulant Balla me trafikantin e drogës mik të familjes, 

* Arben Ndoka, Elvis Roshi Mark Frroku, Armando Prenga janë shembujt më flagrantë të strategjisë kriminale të Edi Ramës që shet si normë qytetarie bashkëpunimin me krimin më zgjedhje.

Shumica e shqiptarëve e refuzojnë këtë model, prandaj prokuroria duhet të avancojë me dosjen 339, të arrestojë Vangjush Dakon!

Për krimin e blerjes së votave në bashkëpunim me krimin nuk mund të ketë më falenderime për krimin! Shqiptarëve u duhet standardi italian i përbuzjes së votave që siguron krimi. Ky është thelbi pse vendi ynë refuzohet prej 5 vjetësh në familjen europiane!​