Vështirë të nënvlerësosh një kundërshtar që të ka shënuar 3 gola. Teuta do të përballet me Luftëtarin në “Niko Dovana” dhe trajneri Bledi Shkëmbi, ashtu si në çdo ndeshje, i ka kushtuar seriozitet maksimal sfidës ndaj bluzinjve. Sipas teknikut korçar, klasifikimi i skuadrës gjirokastrite nuk pasqyron forcën e vërtetë të Luftëtarit.
“Luftëtari është një ekip shumë i mirë, ka treguar që luan futboll të bukur si në shtëpi edhe në ndeshjet në transfertë. E kemi vlerësuar maksimalisht.”
“Djemtë e Detit” kanë koleksionuar 11 pikë në 5 ndeshjet e fundit, duke regjistruar periudhën më pozitive të sezonit, megjithatë virtyti i kësaj skuadre është përulësia, ndërkohë që Shkëmbi vijon të kërkojë vazhdimësinë nga lojtarët e tij.
"Stafi dhe lojtarët kemi qenë me këmbë në tokë për rezultatin. Futbolli shumë shpejt të ngre, por po kaq shpejt të ul. Llogaritë do të bëhen në fund."
Vendi i 3-të është një motiv për të qenë përkohësisht i kënaqur, gjithsesi kaq nuk mjafton, sepse objektivi i trajnerit 39-vjeçar nuk është klasifikimi momental në atë pozicion por renditja përfundimtare në vendin e 3-të. "Në këto momente vendi i tretë nuk do të thotë asgjë, duhet ta kemi në fund të kampionatit."
Në fund, tekniku i Teutës e pranon me sinqeritet se skuadrën e tij ndërprerja e kampionatit nuk erdhi në momentin e duhur, pasi ekipi ishte përfshirë nga një rrjedhë mjaft pozitive. "Ndoshta me ritmin që kishim dhe me rezultat do të ishte më mirë të vazhdonim të luanim."





