Kostoja ditore e ushqimit për një nxënës do të jetë 76 lekë. 

Ky është vendimi i Këshillit të Ministrave për projektin pilot  “Për masat për nxitjen e të nxënit, të vijueshmërisë dhe përparimit të nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri”, Korçë, për vitin shkollor 2018-2019”.

Vendimi është miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë dhe në projekt përfshihen 350 nxënësit e shkollës "Naim Frashëri" në Korçë.

Vendimi i qeverisë

MIRATIMIN E PROJEKTIT PILOT “PËR MASAT PËR NXITJEN E TË NXËNIT, TË VIJUESHMËRISË DHE PËRPARIMIT TË NXËNËSVE TË SHKOLLËS 9-VJEÇARE “NAIM FRASHËRI”, KORÇË, PËR VITIN SHKOLLOR 2018-2019”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6, 19 e 28, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

1. Miratimin e 350 (treqind e pesëdhjetë) bursave/kuotave ushqimore për nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri”, Korçë, për vitin shkollor 2018-2019.

2. Vlera e bursës/kuotës ushqimore ditore është 76 (shtatëdhjetë e gjashtë) lekë në ditë për nxënës, për mbulimin e kostos ushqimore. Vlera e bursës/kuotës ushqimore, që do t’u ofrohet nxënësve në mjediset e shkollës, në formën e shërbimit ushqimor ditor, të paketuar për çdo nxënës, për 170 (njëqind e shtatëdhjetë) ditë mësimore, jepet sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Njësia arsimore vendore të paraqesë pranë njësisë bazë të vetëqeverisjes vendore, Bashkia Korçë, listën emërore të nxënësve që ndjekin studimet në këtë institucion arsimor, përfitues të bursës/kuotës ushqimore, të detajuar nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Një kopje e listës emërore të nxënësve të trajtuar me bursë/kuotë ushqimore dërgohet në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

4. Fondet publike për mbulimin e shpenzimeve për bursat/kuota ushqimore rishpërndahen nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për Bashkinë Korçë dhe administrohen nga kjo bashki.

5. Njësia arsimore vendore dhe drejtoria e shkollës “Naim Frashëri”, Korçë, organizojnë aktivitete ekstrakurrikulare, me qëllim nxitjen e të nxënit, të vijueshmërisë dhe përparimit të nxënësve romë dhe egjiptianë të shkollës “Naim Frashëri”, Korçë. Këto aktivitete organizohen në përputhje me udhëzimin nr.30, datë 12.9.2018, të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, “Për numrin e nxënësve për klasë dhe normat e punës mësimore në institucionet e arsimit parauniversitar”.

6. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, nga buxheti vjetor i miratuar, të mbulojë edhe rimbursimin e Bashkisë Korçë për pagesat e kryera, për programin buxhetor të arsimit 9-vjeçar, për vitin shkollor 2017-2018, në vlerën 3 449 000 (tre milionë e katërqind e dyzet e nëntë mijë) lekë, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

7. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Bashkia Korçë dhe njësia arsimore vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.