Teuta “thyen”… vetveten. Ekipi i këtij sezonit është shumë herë më superior se ai i dy edicioneve të fundit. Dhe kjo nuk duket vetëm nga klasifikimi, por edhe bilanci që kanë pasur në 13 javët e para. Durrsakët po ecin me ritmin e pretendetëve për titull dhe mbetet kandidate potenciale për zonën “Euro”. Vjet skuadra ishte në luftë për mbijetesën, gjë që e siguroi vetëm në fazën e fundit dhe iu deshën plot tre trajnerë për të përballuar atë edicion të mbushur me fantazma.
Megjithatë, në 13 javë të edicionit 2017-2018 kishin 15 pikë dhe pozicionoheshin të 7-ët. Një edicion më herët, në 2016-2018, ishin të parafundit në tabelë pas 13 ndeshjesh dhe kishin vetëm 8 pikë. Ky viti nisi totalisht ndryshe dhe çelësat iu besuan një trajneri te ri si Bledi Shkëmbi. Kanë kaluar plot 13 javë dhe skuadra është në vendin e tretë, duke prekur për herë të parë objektivin real.
Edhe pse nën zë, në ambientet e bregdetarëve e pranojnë që ëndërrojnë më shumë duke u futur në garë për vendin e parë. Gjithsesi, objektivi primar mbetet pjesëmarrja në Kupat e Europës. Nëse bëjmë një krahasim me dy sezonet e kaluara, deri në këtë pikë të kampionatit, pa dyshim që ky sezon është i një tjetër niveli. Jo vetëm që kanë rikuperuar pikët, por Teuta ka bërë mirë në aspektin ofensiv. Shënojnë shumë më shumë se në dy kampionet e fundit, 1.2 gola për ndeshje dhe kanë perfeksionuar mbrojtjen, pasi janë ndëshkuar 11 herë. Ndërkohë që vjet dhe parvjet pësonin nga 20 dhe 19.
Përqendrimi është maksimal dhe Teuta nuk kërkon të neglizhojë asgjë në prag të Luftëtarit. Pushimi i kampionatit i ka dhënë mundësi skuadrës të rifitojë freskinë dhe mbledhë energjitë për të përballuar ndeshjet e fundit të vitit 2018. Ekipi po përgatitet me dy seanca, ku paradite në palestër me ushtrime force, ndërsa pasdite zhvendosen në fushë për t’u ushtuar në planin tekniko-taktik. E vetmja mungesë e skuadrës është ajo Sherif Kallakut, i cili është thërritur nga Alban Bushi për të qenë pjesë e Kombëtares U-21. Pas ndeshjes me Kukësin, Amadu Latif alarmoi Teutën.
Ai doli nga fusha mes lotëve pas një dëmtimi të pësuar në kavilje. E megjithatë, golashënuesi më i mirë i Superiores duket se e ka hedhur pas krahëve shqetësimin dhe do të jetë gati për ndeshjen e radhës. Edhe Hakaj e ka lënë zyrtarisht infermierinë dhe pas dy muajsh mungesë i është bashkuar grupit. Traore gjithashtu kishte shqetësime muskulore në javën e kaluar, por është riaftësuar dhe është gati për t’u vendosur nën urdhrat e Shkëmbit. Duket se tani stafi teknik i ka të gjitha alternativat e gatshme për të ndërtuar formacionin ideal. Pas afro dy muajsh, skuadra rikthehet të luajë në “Niko Dovana”, ku do të presë ekipin e Luftëtarit në një ndeshje tepër interesante, me skuadrën bregdetare që kërkon hakmarrjen për atë humbje në fazën e parë në Gjirokastër 3-1.





