Federata Shqiptare e Futbollit ka dhuruar 2.5 milionë euro për ndërtimin e stadiumit të ri të Kukësit. Në një bashkëpunim me qeverinë shqiptare, ku të dyja palët do të jenë kontribuuese gati 50 me 50% të investimit, qyteti i Kukësit do të ketë një stadium të ri në vitin 2019.
Në projekt mendohet që stadiumi i ri i Kukësit të ketë një kapacitet prej 6500 vendesh dhe do të jetë i një kategorisë Elite 3 të UEFA-s, duke qenë se kategoria Elite 4 ka mes të tjerave si kusht edhe kapacitetin, gjë që nuk e plotëson dot ky stadium. Gjithsesi edhe në këtë kategori që është parashikuar të ndërtohet, në këtë stadium të ri mund të zhvillohen ndeshje deri të fazave të grupeve të Kupave të Europës, gjë që nuk do të pengojë as vendasit dhe as ndonjë skuadër tjetër shqiptare për të zhvilluar ndeshje atje.
Sipas planifikimit mendohet që fillimi i punimeve mund të ketë si periudhë nisjeje fillimin e vitit të ardhshëm dhe kohëzgjatja e këtyre punimeve mund të shkojë deri në rreth 9 muaj. Prej disa muajsh që nga fillimi i këtij sezoni futbollisti, stadiumi i Kukësit është i mbyllur për zhvillimin e ndeshjeve të skuadrës verilindore, pikërisht me synimin e miratimit të fondeve për të filluar punimet për këtë projekt.





