Lirohen nga burgu dy ish-deputetët e PS-së, Arben Ndoka dhe Arben Çuko, të cilët u arrestuan në sajë të operacionit ‘Vol-Vo 4’.
Vendimi është dhënë sot nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, ku nga masa ‘arrest me burg’ për dy ish-deputetët u caktua një masë më lehtësuese, ‘arrest shtëpie’. kjo masë u caktua edhe për tre persona të tjerë që ishin të arrestuar, përkatësisht; Zef Lazri, Elis Guri si dhe Paulin Simoni, ndërkohë për Lule Zenelin u caktua masa ‘detyrim paraqitje’.
Ndërkohë Gjykata ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë për 17 persona të tjerë, duke i lënë në "arrest me burg", mes tyre Astrit Avdylaj, i cili bërtiti “Rroftë Partia Socialiste dhe Vangjush Dako” në sallën e gjyqit.
Çuko akuzohet se ka transferuar një të burgosur në këmbim të një sasie lekësh, dhe provë kundër tij kanë qenë disa përgjime.
Prokuroria në dosjen e saj shprehej se gjatë përgjimit të shoferit të Arben Çukos, ishte përmendur dhe emri i këtij të fundit ku do të ndërhynte për të bërë të mundur transferimin e Olsi Karagjozit.
Ndërsa deputet Arben Ndoka akuzohet se ka lidhje me grupin Avdylaj.





