Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka thënë se bashkia nuk do të tërhiqet nga projekti për Unazën e Re pavarësisht protestës së banorëve të cilët preken nga projekti dhe do u prishen shtëpinë.
Veliaj tha në Këshillin Bashkiak,se shumica e qytetarëve duan që Unaza e Re të bëhet dhe se qytetarët që preken nga projekti do marrin bonus qiraje për 3 vite.
"Dikush që nuk ka rrënjë në këtë qytet, kujt i sulet? Për 28 vite nuk kanë paguar asnjë taksë ata që janë pa letra. Shanset janë zero që kjo betejë të ndalet. 99% e njerëzve duan që qyteti të zhvillohet, të rregullohet trafiku. Një pjesë e jona ka parti politike shpellarë që shqyejnë dhe dhunojnë njerëzit që punojnë për këtë qytet. Shumica e qytetarëve duan që unaza e re të bëhet. Edhe për bulevardin e ri ishte e njëjta parti, shpellarë, që shkatërrojnë. Është i njëjti film që e kemi parë dhe ky film përfundon me fitoren e qytetit, të njerëzve të mirë, që duan rendin dhe nuk kanë zaptuar, nuk shqyejnë dhe nuk vijnë nga shpellat. Njerëzit thonë kur të zhbllokohet trafiku te Shqiponja do të marrë frymë Tirana."





