Në Shqipëri gjenden aksesorë flokësh, enë kuzhine por edhe lodra, që përmbajnë kimikate toksike të mbetjeve elektronike. Të dhënat alarmuese publikohen nga Aleanca Europiane për Shëndetin dhe Mjedisin e cila në harkun kohor prill-qershor 2018, mblodhi 430 mostra të këtyre produkteve nga 19 shtete të Europës si Austri, Belgjikë, Francë, Gjermani, Holland, Shqipëri, Mali i Zi, e Serbi.
Produktet u analizuan për përqendrimet e kimikateve specifike nga laboratori i Universitetit të Kimisë dhe Teknologjisë në Pragë.
Nga produktet e marra në Shqipëri, analiza laboratorike nga 4 mostra të aksesorëve të flokëve konstatoi 3 që përmbanin kimikate.
Vendi ynë nuk përjashtohet as nga rreziku i lodrave të kontaminuara duke qënë se i eksporton ato nga vende problematike.
Lodrat që kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin motorrik të fëmijëve shpesh mund të kthehen në rrezik për ta. Kontaminimi i tyre por edhe produkteve të tjera është shqetësues pasi gjatë lojës te vegjlit mund t`i fusin ato në gojë.
Ekspertët shprehen se ato mund të shkaktojnë ndërprerjen e funksioneve të tiroides, por gjithashtu mungesë neurologjike dhe vëmendje tek fëmijët.
Shqetësimet shëndetësore te fëmijët nuk janë të menjëhershme dhe simptomat mund të shfaqen kohë më pas.
Për të ulur shkallën e rrezikshmërisë studiuesit sygjerojnë që plastika toksike të hiqet nga procesi i riciklimit të mbetjeve, raporton "Ora News".





