Kryeqytetasit në plazh nuk vijnë vetëm për shëtitje dhe një drekë me peshk të freskët në restorante. Sovjeti është 77 vjeç dhe për nëntë muaj të vitit, për çdo mëngjes niset nga Tirana dhe mbërrin në plazhin e Durrësit ku stërvitet disa orë me radhë. I moshuari i cili ka një trup atleti, vrapon në dy skajet e plazhit, nga “Agipi” deri në “Iliria”, ndërsa në kthim 3.5 km e bën me kërcim me litar.

Në një intervistë për “DurrësLajm”, i moshuari tregon se gjithë jetën është nisur me biçikletë çdo mëngjes nga shtëpia e tij në Tiranë dhe ka mbërritur në plazh, por dy vitet e fundit po vjen me autobusin e orës 06:30. Vjen, stërvitet fuqishëm disa orë në ditë, e largohet pasdreke në Tiranë ku e pret bashkëshortja e tij. “Të vraposh 3.5 km nuk është asgjë, por të kërcesh në litar 3.5 km është trefishi i lodhjes”, thotë i moshuari.

77-vjeçari tregon se dy vjet më parë teksa ishte nisur nga Tirana, në autostradë e përplas një makinë. U shërua duke u stërvitur në plazh, por që prej dy vjetësh e ka lënë biçikletën.

I moshuari thotë se të rinjtë duhet të merren më shumë me aktivitet fizik, e të braktisin veset e këqija për një jetë të gjatë e të shëndetshme: “Të braktisin drogën, duhanin e të merren me sport”, thotë i moshuari.

Ai ka një peng të madh. Është shumë i dashuruar me Durrësin, me plazhin në të cilin vjen çdo ditë  për nëntë muaj me radhë. “Bashkëshortja nuk e lë Tiranën, sepse edhe një garsonierë këtu do të ishte shumë mirë”, thotë Sovjeti.

Në kohën e komunizmit ka punuar ndihmës mjek. Ka punuar edhe mekanik. Ka një regjim ushqimor shumë të mirë. Përpiqet të ushqehet pak dhe të konsumojë kryesisht ushqime të zgjedhura.

Edhe fëmijët e tij merren me aktivitet fizik. Njëri prej djemve është në SHBA. “Shembullin ua kam lënë fëmijëve që edhe ata të ushtrohen”.

Një jetë e shëndetshme dhe cilësore bëhet vetëm me ushtrime, thotë i moshuari i cili me këmbëngulje dhe vullnet ia ka arritur të bëjë atë që jo të moshës së tij, por as të rinjtë nuk e marrin guximin ta bëjnë: Të kryejë ushtrime fizike çdo ditë.

K.H.