Plot 22 mijë metra katrorë zë vendgrumbullimi i mbetjeve urbane në Porto-Romano. Ky vendgrumbullim është rritur në mënyrë progresive nga vit në vit si në sipërfaqje edhe në lartësi. Aktualisht vendgrumbullimi arrin në një lartësi prej 15 metrash nga niveli fillestar. 180 tonë plehra depozitohen aty çdo ditë, ndërsa në verë sasia disafishohet nga ardhja masive e pushuesve. Djegia e qindra tonë plehrave ka ngritur alarmin tek i madh e i vogël. Prefektura nisi të mbajë nën kontroll situatën një ditë më parë fillimisht me shuarjen e vatrave të zjarrit e tymit, e më pas me disiplinimin e mbetjeve.

Zgjidhja është rrethimi i fushës dhe kthimi i saj në një park të gjelbëruar, sipas bashkisë së Durrësit e cila nuk ka fonde.

Për banorët situata është emergjente. Ata e kanë mirëpritur vendimin e zëvendësminitrit të Brendshëm për shuarjen er zjarrit dhe disiplinimin e fushës së mbetjeve urbane.

Në këtë fushë punojnë mbi 200 persona që bëjnë ndarjen e plastikës, letrës dhe aluminit në mënyrë private, ndërsa tufat e mëdha me lopë, dele dhe derra ushqehen po në të njëjtën fushë me mbejtet që transportohen aty çdo ditë.

K.H.