Xherdan Shaqiri nuk do të udhëtojë me Liverpoolin drejt Beogradit për ndeshjen e Championsit ndaj Crvna Zvezdës. Klubi nga “Anfield” e ka marrë këtë vendim për shkak të polemikave serioze, që mund të lindin në kryeqytetin serb nga prania shqiptarit, i cili është me rrënjë shqiptare të Kosovës.Shaqiri kishte deklaruar më parë se nuk kishte asnjë shqetësim lidhur me udhëtimin në Serbi, por Jurgen Klopp ka vendosur ta lërë jashtë skuadrës së tij 27-vjeçarin, për transfertën serbe të së martës. 

“Është një situatë, ku do të shkojmë në qytetin fantastik të Beogradit si një ekip futbolli, vetëm për të luajtur futboll. Kemi dëgjuar dhe lexuar spekulime të ndryshme, po flasim për atë lloj pritjeje, që Shaqiri do të merrte në Beograd. Megjithëse nuk kemi ide se çfarë do të ndodhte, ne duam të shkojmë atje dhe të përqendrohemi 100 për qind te futbolli. Nuk duhet të mendojmë për ndonjë gjë tjetër, kjo është e gjitha. Ne jemi Liverpooli, një klub i madh, një ekip futbolli, por nuk kemi ndonjë mesazh më të gjerë se kaq. Ne duam të shmangim çdo incident. Plus kësaj, për ne është e rëndësishme të flitet për futboll dhe vetëm për futboll. Shaqiri është lojtari ynë, e duam atë. Ai do të luajë për ne shumë herë, por jo të martën”.

Shaqiri dhe Granit Xhaka, lojtarë të kombëtares së Zvicrës, shkaktuan polemika të forta në Botëror, pasi i shënuan Serbisë dhe të dy festuan me “shqiponjë”, një simbol nacionalist shqiptar, sipas mediave të huaja. Ata morën një paralajmërim zyrtar nga FIFA dhe u gjobitën me nga 10.000 franga zvicerane për sjellje josportive.