Pas protestës së studentëve, stafit pedagogjik të UAMD-së si dhe banorëve të zonës së Porto-Romanos, të cilët njëzëri kërkonin zgjidhjen e problemit mjedisor që shkaktohet nga djegia e mbeturinave pasi iu rrezikohet jeta, ka reaguar kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.

Në një postim në Facebook, Dako shkruan se Bashkia Durrës është në mes të një procesi për zgjidhjen e problemit ku rolin kyç e ka qeveria shqiptare.

POSTIMI I DAKOS

Të nderuar qytetarë! Dëshiroj të sqaroj opinionin publik në lidhje me hapat që po ndiqen për zgjidhjen përfundimtare të mbetjeve në zonën e Porto Romanos në Bashkinë Durrës. Këshilli Bashkiak i Durrësit me vendim Nr. 533 datë 10.07.2018 ka vendosur “Miratimin për shpalljen e emergjencës mjedisore në fushën e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve Urbane për territorin e Bashkisë Durrës”.

Si çështje e parë është grumbullimi i mbeturinave dhe bonifikimi i zonës. I është kërkuar Qeverisë dhe Shoqërisë Konçesionare në Tiranë të marrë në konsideratë spostimin e mbetjeve të Porto Romanos për në Tiranë dhe trajtimin e tyre përkatës.

Të hënën më datë 29.10.2018 u mblodh Komiteti i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve për shpalljen e gjendjes së Emergjencës Mjedisore. Aktualisht po analizohen kostot e kryerjes së transportit, përkatësisht kostot që do të mbulojë Bashkia dhe ato që do të mbulojë Qeveria.

Gjithashtu paralel me këtë proces, po hartohet dhe projekti i cili e kthen zonën e Porto Romanos (fushën aktuale të vendgrumbullimit të mbetjeve) në një park të gjelbëruar për qytetin.

Bashkia Durrës është në mes të një procesi për zgjidhjen e problemit ku rolin kyç e ka qeveria shqiptare. Ky proces do të finalizohet me pastrimin përfundimtar të vendgrumbullimit të mbetjeve dhe kthimin e Porto Romanos në park.