Ashtu siç e kishte paralajmëruar, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka dalë në një konferencë për shtyp, ku deklaroi se: “Unë zgjodha të bëj qytetarin e thjeshtë, vetëm përballë drejtësisë. Të mos bëj politikë, për fat të keq i vetmi që kam heshtur jam unë. Gazetarët plasnin lajme bombastike nëpër media, dhe që pastaj analistët më bënin mua gjyqin. Qeshja me ca që më kanë njohur mirë dhe i kam njohur mirë, që bënin sikur më nuk më njihnin.
Pas tyre dhe ca ambasadorë në vendet e tyre as do guxonin të flisnin kur heton Prokuroria. Kanë gënjyer aq shumë për mua për ditë. Unë vetëm kam heshtur. E vërteta sado vonë, do bërtas më fortë. Kam pasur e kam shumë për të thënë.
Unë kam diçka rëndësi që dua ta ndaj me ju dhe publikun. E vërteta nuk rri dot fshehur. Ju kujtohet se si në 24 Tetor 2017, unë në konferencë për shtyp deklarova se ndaj meje nuk kishte asnjë hetim. Atëherë ajo dora e zezë lëvizi fort për të thënë se letrat që nxorra unë ishin të falsifikuara.
Krahas hetimeve në Shqipëri unë kërkova të hetohem dhe në Itali. Prokuroria e Antimafias italiane regjistroi zyrtarisht hetim ndaj meje 3 ditë më pas. Janë prokurorë ata atje që nuk e kishin mendjen të shpërndanin gjysmë lajme në media. Prokurori i Antimafias italiane në përfundim të gjithë hetimeve i kërkuan gjykatës italiane për pushimin e hetimeve për Saimir Tahirin. Gjykata pushoi hetimet dhe unë kam vendimin e Gjykatës, ku thuhet pushohen hetimet për Saimir Tahirin se nuk ka asnjë vepër penale. Autoritetet italiane me vendim të formës së prerë kanë mbyllur hetimet.
Bashkë me Interpolin janë verifikuar gjithë lëvizjet e mia në zonën Schengen dhe është mbyllur gjithçka sepse nuk ka. Këto e shumë të tjera janë hetuar pa zhurmë, pa lajme, pa politikë, ndaj Prokuroria dhe Gjykata italiane më dorëzuan këtë vendim të qartë si drita e diellit. Përtej çdo gjëje, kjo që po ndaj sot me ju është lajm i mirë për mua dhe familjen time dhe një forcë më shumë për ata njerëz të thjeshtë që më kanë besuar mua çdo ditë. Sado më kanë baltosur me gjysmë letra e gjysmë lajme që dilnin nga Prokuroria, me lajmet e sponsorizuara nga ajo dora e zezë, sado kanë drejtuar gishtin ndaj meje kaqolat e politikës, unë prapë dua t’i falenderoj të gjithë sepse më kanë bërë shërbim më të madh që as vet nuk e besoja. Më vunë në një sprovë të madhe njerëzore për të nxjerrë në dritë gjithçka dija vetë, por që nuk më mjaftonin fjalë për ta shpjeguar”.





