Nga DurrësLajm

Me një zell të paparë, si asnjëherë në karrierën e tij të gjatë si kryebashkiak i Durrësit, Vangjush Dako, për 4 ditë rresht, replikoi virtualisht me kreun e PD-së, Lulzim Basha, të cilin e paralajmëroi se të hënën do ta denonconte në gjykatë për shpifje. Për të qenë më të saktë, 3 ditë rradhazi, pasi ditën e hënë, statusi i Dakos në Facebook erdhi si reagim i denoncimit të qytetares dixhitale që publikoi ish-kryeministri Sali Berisha, e ku thuhej se gruaja e kryebashkiakut të Durrësit ishte dëgjuar t’i thoshte parukieres se i dërgonin muaj për muaj valixhe me euro Ramës.

Dhe meqë ish-kryeministri i kishte përmendur gruan në postimin e tij, edhe reagimi virtual i Dakos i adresohej zonjës Liri Berisha, të cilës kryebashkiaku i rekomandonte të mblidhte burrin.

Ditën e sotme, Berisha publikoi një tjetër denoncim të një qytetari nga Durrësi, sipas të cilit Dako ishte rrahur 3 javë më parë nga anëtarë të bandës Avdulaj dhe më pas kishte ndërhyrë kryeministri Rama i cili kishte qëndruar për 3 orë me të në një restorant.

E ndërsa të gjithë prisnin sot, reagimin e rradhës së kryebashkiakut Dako, ky i fundit i zhgënjeu të gjithë, pasi nuk pati asnjë postim në Facebook!

Kjo nuk e bën domosdoshmërisht denoncimin e Berishës të vërtetë, por shtrohet pyetja pse Dako hoqi dorë nga trendi i ri virtual që nisi të aplikonte që nga intervista e famshme në emisionin “Opinion”.

A e kuptoi se me atë gjuhë deklaratash që pak kujt mund t’i dukeshin të përshtatshme për t’u përdorur nga një kryebashkiak nuk po fitonte pikë, por përkundrazi po i ulte pikë vetes?!

A e kuptoi se me ish-kryeministrin nuk ia del dot, sepse ai shpesh ka postuar në Facebook-un e tij denoncimeve të qytetarit dixhital që e akuzonin Dakon për gjëra nga më të ndryshmet dhe nuk e ndal aspak një status i kryebashkiakut?!

A e kuptoi se ndaj denoncimeve të Berishës në Facebook nuk mund të ngrejë padi për shpifje, pasi ish-kryeministri u referohet denoncimeve të qytetarëve dhe nuk ngre akuza të drejtpërdrejta ndaj Dakos?! 

A e kuptoi se pavarësisht thirrjes që i bëri dje zonjës Berisha, burri i saj nuk ka ndërmend të ndalet nga publikimi i denoncimeve në adresë të Dakos?!

A e kuptoi se derisa avokatët e tij të gjejnë një mënyrë për ta paditur edhe Berishën për shpifje nuk ia vlen të merresh me Doktorin?!

A e kuptoi se këto postimet virtuale i shkojnë më shumë shefit të tij të madh Rama dhe për të ishte mirë ta mbyllte vetëm me këto postime të 4 ditëve rresht?!

A e kuptoi se meqë kreu i PD-së Lulzim Basha paralajmëroi për zbulimin e skandaleve të reja të maxhorancës socialiste dhe sërish artikuloi emrin e tij ishte më mirë të tërhiqet në profilin e tij të ulët publik që ka mbajtur përgjatë gjithë këtyre viteve?

Apo kuptoi se të qënit protagonist çdo ditë në media me lajme që flasin për të nuk ishte zgjidhja e duhur, për më tepër që Prokuroria ka pranuar se po heton veprimtarinë e tij, lidhur me përgjimet e bëra ku ai dëgjohet të flasë me një anëtar tashmë të arrestuar të bandës Avdylaj?!

Kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim, nga reagimi apo mos reagimi i Dakos. Por gjithsesi shumë shtrojnë ende pyetjen: Pse heshti Dako sot?