Britaniku Lewis Hamilton u rikonfirmua kampion bote në Formula 1 dy gara nga fundi i sezonit, duke lënë edhe një herë “thatë” Ferrarin, që mendohej se do ta ulte nga froni pilotin e Mercedesit. 33-vjeçari anglez ishte piloti më ambicioz dhe shfrytëzoi rënien e “Kokëkuqes” pas garës së Monzës, duke marrë avantazhin për të mos e lëshuar më, ndërsa statistikat e tij në karrierë janë impresionuese.

Që prej vitit 2013, kampioni i botës ka marrë të paktën 9 fitore në një edicion dhe ashtu si në vitin 2017, titulli i britanikut të Mercedesit erdhi në autodromin “Vëllezërit Rodríguez”. Hamilton ka fituar 3 tituj në muajin tetor, madje në total ka barazuar legjendën Fanggio. Në fokus është rekordi i Michael Schumacher.

“Kaizeri” i Formula 1 mbetet aktualisht i pakapshëm, me 7 kurora. 33 vjeç e 294 ditë, Lewis u bë piloti i dytë në historinë e garave që merr një titull të distancuar me 10 vjet nga i pari. Edhe në këtë rast, krah tij qëndron Schumacher. Hamilton i solli flamurit britanik titullin e 18-të në historinë ishullore, duke e bërë kombin më fitues në planet. Për të 11 vite radhazi, titulli shkon për një anglez ose gjerman, një sekuencë e nisur në vitin 2008.

Për herë të 35-të në historinë e garave spektakolare me makina, fituesi i kampionatit nuk është ai që triumfoi në garën e parë sezonale.