Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj është shfaqur në publik pak ditë pasi dha dorëheqjen nga posti që mbante prej një viti e një muaji. Kështu, gjatë një takimi në njësinë numër 10 të Tiranës, Xhafaj është shfaqur përkrah kryebashkiakut Erion Veliaj, duke vijuar kështu fushatën elektorale, pavarësisht se zgjedhjet për kryetar bashkie duan edhe pak muaj.

Xhafaj në fjalën e tij i ka dhënë mbështetje të fortë Veliajt, ndërsa shtoi se ky i fundit ishte nga ata njerëz që vijnë për të shërbyer. 

"Ka njerëz që ulen në një karrige dhe janë të kanqur që kanë kapur një karrige. Ka njerëz që marrin një pushtet dhe janë të lumtur që marrin një pushtet. Ka njerëz që vijnë për të shërbyer, që kanë një mision dhe që duan të lënë një gjurmë përmes mundësisë që u jep pushteti, dhe ky është Erion Velijan. 4 vite më parë kam folur shpesh me ju, pasi do duhej të flisja për kandidatin e ardhshëm, Veliajn. E di që ka pasur skeptikë ndër ju, sidomos ata që kanë qenë më shumë të partisë sonë. Arsye nga më të ndryshmet dhe mund të jenë normale në këtë botë dhe në këtë larmi njerëzor. Në atë kohë mua e Blerinës dhe të tjerëve na është dashur të flisnim se ç’është Erion Veliaj. Ndërsa sot nuk na duhet të flasim, pasi thjesht ai dhe ekipi i tij duhet të tregojnë se çfarë pune kanë bërë dhe janë duke bërë. Puna dhe rezultatet janë treguesi më i mirë, cv-ja më e mirë për cilin do. Dua të them se Veliaj hyri për një mision dhe është me punë me rezultatet me atë çka ka bërë. Është duke kërkuar një mandat të dytë jo për të kërkuar që të qëndrojë në atë karrige, por për të shërbyer dhe për ta çuar para këtë mision. Gjëja më e mirë e tij është puna. Unë do ti jap atij mundësinë që të tregoj për punën, edhe këtu në njësinë 10."