Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në bashkëbisedimin me gazetarët këtë të martë, e konsideroi vrasjen në Bularat si “ngjarje kriminale që duan ta kthejnë në ngjarje politike”, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka për qëllim që të zhvendosë vëmendjen me deklarata nga qeverisja e tij.
“Rama kërkon që të zhvendosë në mënyrë artificiale vëmendjen, duke pompuar një ngjarje kriminale që duhet trajtuar si kriminale. Është tregues i gjendjes ku ndodhet ai dhe qeverisja e tij. Ai kërkon të largojë vëmendjen nga fakti që nuk kemi qeveri, por një bandë kriminale që na drejton”, deklaroi Basha.
“Ai jo vetëm përdor ngjarje të tilla kriminale, por edhe prodhon ngjarje që çojnë në destabilizim të vendit dhe rajonit”, shtoi Basha.
Konstantinos Kaçifa u vra nga reparti RENEA, dy ditë më parë, pasi nuk pranoi të dorëzohej. Ngjarja ka hapur një debat në shtetin fqinj, pasi grupi ekstremist i Agimit të Artë, ka organizuar një protestë ditën e ngjarjes. Mediat greke shkruajnë se Kaçifa u vra pasi u përlesh me policinë, sepse këta të fundit ulën flamurin grek në Bularat, ndërkohë që Tirana zyrtare ka përsëritur faktin se ngjarja është e izoluar, dhe se Kaçifa rrezikoi seriozisht jetën e punonjësve të policisë shqiptare.





