Komenteve të ish-Kryeministrit Sali Berisha për vrasjen e minoritarit grek në Bularat të Gjirokastrës, Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur ashpër me një postim në rrjetet sociale ku e quan paraardhësin e tij “materie të biodegraduar deri në palcë”.

Deklarata e Sali Berishës për Bularatin një pisllëk që mund ta bëjë vetëm një materie e biodegraduar deri në palcë. Sa shumë i dha Shqipëria këtij njeriu që do iki nga kjo botë pa lënë pas qoftë dhe një fjali për t’ua treguar fëmijëve apo një fjalim ku të mos duhet sinjali kujdes fëmijët”, shkroi Rama.

Reagimi i ashpër i Ramës vjen pasi më herët të hënën, ish-Kryeministri Berisha tha se “një banor i Bularatit, anëtar në forcat e armatosura të Greqisë ka hapur zjarr për motive ekstremiste edhe ndaj policisë. Natyrisht në çdo rast që hapet zjarr drejt policisë kësaj të fundit i lind e drejta ligjore të neutralizojë burimin e zjarrit. Kur them të neutralizojë, nënkuptoj me këtë dorëzimin e kriminelit që hap zjarr, plagosjen e tij dhe së fundi edhe asgjësimin e tij kur dy të parat janë ta pamundura. Pavarësisht aktit të dënueshëm që vuri në rrezik forcat e rendit, i shpreh ngushëllime njerëzore familjes së viktimës. Duke dënuar disa reagime zyrtare të Athinës por edhe të Tiranës, që duan të përdorin rastin për qëllime politike. Konsideroj të nevojshme një hetim të plotë dhe transparent të kësaj ngjarje. Me këtë rast bëj thirrje për ndërprerjen e histerisë primitive antishqiptare në Athinë dhe asaj antigreke në Tiranë, që nuk i shërbejnë as të vërtetës dhe as bashkëpunimit mes popujve dhe vendeve tona!”