“Presidenti im i dashur”. Kështu nis letra e lamtumirës e portierit të Leicester City-t, për pronarin e klubit, Vichai Srivaddhanaprabha, pak minuta pas lajmit zyrtar për vdekjen e tij në bordin e një helikopteri që u përplas në tokë e më pas mori flakë në ambientet e jashtë të “King Power Stadium”.

“Nuk arrij ta besoj atë që pashë mbrëmjen e kaluar, jam i shkatërruar dhe zemërthyer. Është e vështirë ta shpjegosh se çfarë domethënie keni jui për këtë klub dhe këtë qytet. Nuk kam takuar kurrë një njeri tjetër si ju. Ëndrrat e mia i bëre realitet.”

Në vijim të letrës, Schmeichel thekson anën humane të Vichai Srivaddhanaprabha, ndihmën e paçmueshme që ka dhënë jo vetëm për klubit e futbollit, por për të gjithë komunitetin në qytetin e Leicesterit. Më tej vijon:

“Na dhe të gjithëve shpresën që e pamundura mund të bëhej e mundur. Jo vetëm tifozëve tanë, por dhe atyre në të gjithë botën, në çdo sport. Kur më morët në vitin 2011, me thatë se brenda 6 vitesh do të luanim në Champions dhe se do të bënim gjëra të mëdha. Më inspiruat dhe unë ju besova. Pa ju dhe familjen tuaj, gjithçka që kemi arritur nuk do të kishe ndodhur. Më bëtë të jetoj gjëra që ndodhin vetëm në fantazi. Trasnformuat ëndrrat e mia në realitet”.