Derbi mbetet gjithmonë derbi, pavarësisht në cilin cep të botës luhet, e pavarësisht nga cilësia e skuadrave protagoniste. Ai mes Rosario Central dhe Newell’s Old Boys është pa diskutim një prej me të nxehtëve në botë, edhe pse në Argjentinë është i dyti pas atij mes River Plate dhe Boca Juniors.

Për këtë arsye, drejtuesit e federatës argjentinase të futbollit duke dashur të shmangin dhunën dhe tensionin, vendosën që ta spostojnë ndeshjen në Buenos Aires, 300 kilometra më larg. I vlefshëm për Kupën e Argjentinës, takimi i të enjtes nuk do të ketë të pranishëm në stadium asnjë prej dy tifozerive, të konsideruara si të rrezikshme për sigurinë publike.Për kujtesë, në vitin 2014, trazirat mes tyre pas një derbi të fituar nga Rosario, u mbyllën me dy viktima…

Por pavarësisht se nuk do të ketë asnjë këmbë tifozi në stadium, për sigurinë e takimit do të impenjohen plot 100 oficerë policie! Autoritetet janë aq të shqetësuar për këtë ndeshje sa që i druhen edhe problemeve që mund të kenë lojtarët e të dy skuadrave me njëri-tjetrin.

Sherret masive në të shkuarën nuk kanë munguar dhe askush nuk dëshiron që të përsëriten. Praktikisht do të ketë 2 policë për çdo pjesëtar të dy klubeve, duke përfshirë këtu 22 titullarët, rezervat, trajnerët dhe stafet e tyre… Vetëm në Argjentinë!