Ditmar Bicaj për plaset me Agustin Torasën për episodin që solli kaosin në ndeshjen e djeshme në Vlorë. Menjëherë pas takimit, mbrojtësi lezhjan i Teutës, që në sezonin e kaluar ishte pjesë e Flamurtarit, deklaroi se vetë lojtari argjentinas i vlonjatëve, Torasa, pranoi prekjen me dorë të topit, duke ia thënë këtë arbitrit kryesor.

“Dua ta përgëzoj anësorin, pasi ishte ai që sinjalizoi prekjen me dorë. Nuk duhet ta diskutojmë shumë këtë pjesë, pasi ishte vetë lojtari që e pranoi këtë gjë. Episodi i golit është anuluar nga vetë Torasa, i cili tha që ka marrë topin me dorë. Urime Torasës, sepse tregoi se është një lojtar i madh. Kjo ishte e gjitha dhe s’ka nevojë për komente. Pasi është marrë vendimi, kemi qenë ne lojtarët e Teutës që i kemi kërkuar Torasës si është e vërteta dhe ai shkoi tek arbitri dhe e pranoi. Kjo e qetësoi situatën”, deklaroi Bicaj.

Sulmuesi argjentinas i Flamurtarit, Agustin Torasa, mohon kategorikisht të ketë folur me lojtarët e Teutës apo t’i ketë thënë arbitrit pas golit të anuluar se e ka prekur topin me dorë. Ai ka theksuar se goli i shënuar në minutat shtesë ishte i rregullt. Ai jep versionin e tij për marrjen e topit pas përplasjes me Osmanin në afërsi të zonës.

“Nuk kam pasur asnjë komunikim me Bicajn pas ndeshjes dhe jo më t’i kem thënë që kam pranuar prekjen e topit me dorë. Jam i bindur që goli ishte i rregullt, sepse e kam pasur dorën ngjitur me trupin dhe topi më ka prekur në afërsi të shpatullës. Nuk e kam prekur topin me dorë”, ka thënë lojtari i Flamurtarit.

Tashmë, ajo që nuk dihet është se kush nga lojtarët thotë të vërtetën, Bicaj apo Torasa. Megjithatë, vendimi u mor nga anësori Arbër Zalla, për të cilin ky sezon është debutues në Superiore. Kryesori Hamiti fillimisht u kthye për të sinjalizuar gol, por sinjalizimi i asistentit ndryshoi gjithçka.