Nga DurrësLajm
Vangjush Dako, kryebashkiaku që ka qëndruar më gjatë në këtë post në 28 vite demokraci në qytetin bregdetar, njihet si një njeri popullor, që ka preferuar përherë të mbajë një profil të ulët në publik, nuk i ka pëlqyer asnjëherë të reklamojë me të madhe punët publike të realizuara në qytet dhe madje, ndryshe nga kryetari i tij Rama që ka gati-gati një raport varësie me rrjetet sociale, Vangjushi thuajse i shpërfill ato.
Vërtet ai ka një faqe zyrtare të hapur në Facebook, por nuk e menaxhon vetë, është stafi që merret me postimin e ndonjë aktiviteti apo takimi që bën kryebashkiaku, apo për të bërë share postimet e Ramës që kanë lidhje me Durrësin.
Dy ditët e fundit, fill pas daljes së tij në “Opinion”, Dako ka ndryshuar taktikë dhe e ka përdorur profilin e tij në Facebook për të replikuar në distancë me kreun e PD-së Lulzim Basha, madje mbrëmjen e sotme edhe për ta lajmëruar kryetarin e selisë blu se të hënën do të depozitojë në gjykatë padinë për shpifje për videon e publikuar nga Basha.
Por çfarë po e shtyn Dakon të padisë Bashën për një video të publikuar vetëm disa orë më parë, në të cilën akuzohet se ka dhënë leje për një ndërtim të Avdylajve në det, në Currila?
Kjo është akuza më e pakët që opozita ka ngritur në adresë të tij, pasi prej ditësh Basha dhe të tjerë deputetë të PD-së po kërkojnë arrestimin e Dakos, sepse del në përgjimet e prokurorisë duke folur me elementë të grupit Avdylaj, biseda që Dako i pranoi vetë, pasi, në fushatë, ai tha se komunikon me krerët e familjeve influente e me shumë anëtarë, që përkthehen në vota. Opozita aludon që suksesi elektoral i socialistëve vitet e fundit në Durrës lidhet me bashkëpunimin e tyre me elementë të krimit të organizuar dhe shit-blerjen e votës.
Dako e paditi edhe njëherë më parë, në dhjetor 2017, Lulzim Bashën për shpifje, pasi ky e fundit e akuzonte si të lidhur me krimin. Çështja u pushua nga gjykata, po dalja e përgjimeve të prokurorisë ditët e fundit treguan se Basha nuk ia kishte futur kot.
Kryebashkiaku vërtet ndoshta nuk ka dhënë leje për ndërtimin për të cilin e akuzon Basha dhe ai ndërtim është ngritur ashtu si shumë të tjerë përgjatë bregdetit të betonizuar të Durrësit, por kjo nuk ia heq aspak përgjegjësinë Vangjush Dakos që gjatë qeverisjes së tij 3 mandatëshe është abuzuar me bregdetin, ashtu si edhe të tjerë paraardhës të tij në këtë post lejuan masakrën urbane në bregdet, nga Currila e deri në Shkëmbin e Kavajës.
Mund të mos japësh leje për një ndërtim, por kur mbyll sytë ndërsa ai ngrihet çdo ditë nuk mund të thuash se je i pafajshëm dhe të tjerët shpifin…
Pra, në fund të fundit, dhënia e lejes në logjikën e pushtetarëve tanë mbetet vetëm një detaj teknik, ashtu si edhe padia në gjykatë për shpifje bëhet thjesht në kuadër të fushatës së iniciuar nga kryeministri Rama.
Gjykata mund t’i japë të drejtë Dakos, por nuk do mund të zhbëjë abuzimin që tashmë është bërë me territorin.